Rama: Pishina e Gërmisë u përdor për kalkulime politike

Rama: Pishina e Gërmisë u përdor për kalkulime politike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit për mbylljen e përkohshme të Pishinës së Gërmisë, duke e cilësuar atë si një veprim të motivuar politikisht dhe jo si masë për mbrojtjen e shëndetit publik.

Më 24 korrik, Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë vendosi mbylljen e pishinës, me arsyetimin se uji nuk i plotësonte standardet sipas analizave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK). Mirëpo, një ditë më vonë, IKSHPK-ja njoftoi se analizat përfundimtare treguan se uji ishte brenda standardeve dhe pishina u rihap për publikun.

Në një postim në Facebook, Rama ngriti dyshime mbi kohën e vendimit për mbyllje, duke thënë se kjo ndodhi vetëm disa orë para ceremonisë publike ku ai pritej të shpallte kandidaturën për mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës, pikërisht në amfiteatrin e kësaj pishine.

“Dje, më 24 korrik, në bazë të rezultateve jo të plota e jo përfundimtare të mostrave të ujit, u mor vendimi për mbylljen e pishinës. Vetëm një ditë më pas, më 25 korrik, analizat përfundimtare të IKSHPK-së treguan se uji është brenda standardeve të lejuara dhe pishina u rihap për publikun”, ka deklaruar Rama.

Ai akuzoi se po përdoren institucionet për kalkulime politike në prag të zgjedhjeve, duke e quajtur këtë “përdorim të frikës dhe alarmit si mjet politik”.

“Krijimi i panikut në publik është moralisht i dënueshëm dhe ligjërisht i sanksionueshëm”, shtoi Rama, duke apeluar për ruajtjen e integritetit profesional nga zyrtarët publikë.

Kryetari i Prishtinës theksoi se institucionet duhet të shërbejnë me transparencë dhe përgjegjësi, duke shtuar se qytetarët nuk duhet të trajtohen si mjete elektorale.

Related Articles