Janë alokuar 2.7 milionë euro, të nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili këtë hap e quajti lajm të mirë për qytetarët dhe punëtorët e kryeqytetit.
“më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave”, tha Rama.
I pari i kryeqytetit shtoi se në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, “ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt”.
“Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria. Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”, theksoi ai.
