Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste (PS), ka prezantuar programin elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke theksuar objektivat kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), rritjen e pagave dhe realizimin e reformave.
Rama shprehu angazhimin e qeverisë për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në BE deri në vitin 2027, duke theksuar se kjo është një mundësi historike që nuk duhet humbur. Ai shtoi: “Nuk është vetëm dëshira jonë, por edhe e BE-së që të na pranojnë” .
Në programin e PS-së, parashikohet rritja e pagës mesatare në 1,200 euro deri në vitin 2030. Ai shtoi: “Sot paga minimale është 440 euro dhe duke filluar nga janari 2026, paga minimale do të jetë 500 euro.” Gjithashtu, Rama theksoi se të ardhurat për frymë do të 5-fishohen, duke arritur në 15,000 euro.
Kryeministri njoftoi se paga e mësuesve do të arrijë në 1,250 euro deri në vitin 2030, ndërsa për mjekët parashikohet një pagë prej 2,000 eurosh. Ai gjithashtu njoftoi ndërtimin e 200 shkollave të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
“Paga e mjekësve ishte 490 euro, në 2024 mesatarja e pagës së mjekëve është 1670 euro. Në Shqipërinë 2023 ne duam që paga e mjekësve të shkojë 2000 euro.” Përsa i përket sektorit të shëndetësisë, Rama theksoi se paga e mjekëve do të arrijë në 2,000 euro deri në vitin 2023, nga 1,670 euro që është aktualisht.
Rama prezantoi një model të ri pasaporte, të cilin ai e quajti “fytyrën e pasaportës shqiptare evropiane”.
“Kjo është fytyra e pasaportës shqiptare evropiane,” u shpreh Rama, duke theksuar se dizajni i ri përmban elementët e sigurisë të standardeve të BE-së.
Kryeministri theksoi se PS është garantja e vetme për vijueshmërinë e reformës në drejtësi dhe mbrojtjen e arritjeve të saj. Ai shtoi: “Sot ajo shpatë është në duart e SPAK, peshorja tek GJKKO.”