Rama: Samiti i NATO-s në Tiranë do mbrohet me dronë “Made in Albania”

Rama: Samiti i NATO-s në Tiranë do mbrohet me dronë “Made in Albania”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se Samiti i NATO-s që do të mbahet në vitin 2027 në Shqipëri do të monitorohet me dronë të prodhimit shqiptar.

I ftuar në Opinion, Rama tha ndër të tjera se përveç dronëve, Shqipëria do të prodhojë edhe autobusë për fëmijë, makina ushtarake dhe uniforma.

Edi Rama: Po të them këtë gjë. Në samitin e NATO-s që është niveli më i lartë i sigurisë në botë do ta mbrojmë territorin e Tiranës me dronët e prodhimit shqiptar.

Opinion: Ne?

Edi Rama: Ne.

Opinion: Do ia lëmë Trump-it sigurinë në duart tona?

Edi Rama: Po.

Opinion: Merrni më mirë amerikanë se do na fëlliqësh.

Edi Rama: Mbaje mend.

Opinion: Do na bien dronët do lemë kokrrën e namit.

Edi Rama: Mos ki merak. Nuk bien dronët. Ata nuk do të nisen me fjalët tona, ata do t’i shohin dronët njëherë. Do prodhohen këtu.

Kryeministri shqiptar madje u shpreh sot më 4 shtator se nuk janë rastësi samitet europiane dhe ai i NATO-s që do të zhvillohet në vitin 2027 në Shqipëri.

“Magneti jonë është bërë i fortë në këtë periudhë. Patjetër që këtu pastaj hyjnë shumë gjëra të tjera”, tha ai.

Po ashtu paralajmëroi se Shqipëria do të jetë vendi i parë që prokurimet do t’i bëjë me inteligjencë artificiale.

“Mbaje mend çfarë po të them se nuk jam duke bërë fushatë se i kemi fituar zgjedhjet. Do të jemi vendi i parë që do të kemi prokurimet me inteligjencë artificiale në 95% të procesit. Prokurim me inteligjencë artificiale. Ne te prokurimet jemi të parët në rajon për gjithë modernizimin që i kemi bërë procesit. Mandati i 4 fillon me në tjetër risi që ministritë dhe ministrat nuk bëjnë më asnjë tender. Zero. Nuk bëjnë më. Nuk bëjnë tendera. Ministritë do të përqendrohen vetëm në politikëbërje. Kemi ndërtuar një sistem të prokurimeve të përqendruara që po jep rezultat dhe kemi miliona euro kursime”, tha Rama.

Related Articles