Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Arsimit në Kryeqytet, Samir Shahinin, i cili ka njoftuar se mandati i tij ka përfunduar me vendim të kryetarit të Kryeqytetit, raporton Gazeta “Enigma”.
“Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu”, ka njoftuar Shahini përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
Përmes këtij postimi Shahini ka renditur një sërë projektesh dhe reformash që, sipas tij, janë realizuar gjatë mandatit të tij në krye të Drejtorisë së Arsimit. Mes tyre, Shahini përmendi zgjerimin e mësimit tërëditor në shtatë shkolla të tjera, renovimin e 14 shkollave, hapjen e objektit të ri të shkollës “7 Shtatori” dhe çerdhes së re në Dardani, shpërndarjen e mbi 300 tabelave digjitale nëpër shkolla, si dhe nisjen e Ligës së Shkollave për vajza dhe djem.
Ai tha se largohet nga detyra “me kokën lart”, duke shtuar se mbetet krenar për punën dhe ndryshimet e nisura në sistemin arsimor të Kryeqytetit.
