Rama shpërndan një pjesë të dëshmisë së Rubin në Hagë: Proces shtangës që ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare

Rama shpërndan një pjesë të dëshmisë së Rubin në Hagë: Proces shtangës që ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një pjesë nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili qe dy ditë po dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë, në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai është ftuar nga ekipi mbrojtës i ish-Presidentit Hashim Thaçi.

Pjesa e dëshmisë që ka ndarë Rama ka të bëjë me kritikat e Rubin për trajtimin e rastit të ish-presidenti Hashim Thaçi, teksa gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së e ka quajtur “proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare”.

“LIRIA KA EMËR  Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare…”, ka shkruar Rama.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin e ka pyetur prokurorinë e Hagës se si u bë që për një rast si ky të nevojiteshin pesë vite kohë.

Rubin tha se për të është e pakuptimtë se si trajtohet ish-presidenti Hashim Thaçi, që është vetëdorëzuar.

“Fakti që janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim më shqetëson, pasi që këta janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me gjykatën. Në rastin e të akuzuarit Hashim Thaçi, nuk e kuptoj pse vazhdon të jetë në paraburgim. Unë mendoj se kjo është e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Jam takuar me ekipin e mbrojtjes në Uashington, kam kaluar pesë vite duke pritur që të nis gjykimi. Kam pyetur njerëz të fushave e juristë a është normale kjo më kanë thënë që jo, është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti që është vetëdorëzuar”, deklaroi Rubin.

Për sot, ai e ka përmbyllur dëshminë, teksa do të vazhdojë sërish nesër, me fillim nga ora 09:00.

Related Articles