Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë mosvotimi i Sali Berishës për rezolutën kundër raportit të Dick Marty, tregon veprim kundër Kosovës.
“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA) i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës! FLM të tjerëve!”, shkruan Rama në një postim në Tëitter.
Rama theksoi se Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon dokrrat turbopatriotike.
“Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike,që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë, Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme!”, shprehet ai më tej.
Të enjten 125 deputetë votuan pro rezolutës që rrëzon raportin e Dick Marty për vrasje të njerëzve dhe trafikim organesh në Shqipëri dhe Kosovë.
Marty ka pretenduar se trafikimin e kanë kryer pjesëtarë të UÇK-së ndaj shtetasve serbë dhe kosovarë në veri të Shqipërisë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999.
Por, parlamenti shqiptar tashmë thotë se nuk ka prova dhe fakte për këto krime, dhe ato duhet të konsiderohen si të pabaza nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.