Agresioni rus në Ukrainë ka tronditur arkitekturën e sigurisë në kontinent, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka bindjen se pasojat e kësaj lufte, si kriza energjetike apo inflacioni, kanë prekur të gjithë botën.
Për të reaguar ndaj kësaj situate të re, nga Stambolli ai u bëri thirrje liderëve evropianë dhe miqve amerikanë që të ndryshojnë qëndrimin ndaj Turqisë dhe ta shohin si një faktor kyç për sigurinë e Evropës.
Pas u prit në një takim zyrtar nga Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, Rama foli ne Forumin Botëror të transmetuesit kombëtar turk TRT.
“Në Evropë njerëzit nuk janë të lumtur, ndërsa në Turqi janë shumë të lumtur. Kjo është normale, e vërtetë, sepse Turqia është çelësi i stabilitetit për Evropën. Për t’u përfshirë apo për të bashkëpunuar me Turqinë në një mënyrë më produktive, BE duhet të ndryshojë vendimin për të menduar për fqinjët dhe bashkëpunëtorët vetëm në kuadër të zgjerimit, sepse ne jemi dëshmitarë të rezultatit që BE është në limitet e pavarësisë strategjike”, tha Rama.
Kritikat e Ramës ndaj Evropës shkuan më tej, duke vënë gishtin në plagën e marrëdhënieve me Moskën dhe Ankaranë.
“E vërteta është se sistemi ndërkombëtar evropian ka dështuar për të përfshirë dy faktorë të rëndësishëm, nga njëra anë Turqinë, nga ana tjetër Rusinë. Në këtë kuptim, dua të them që krijimi i Komunitetit Politik Evropian është i mirëpritur. Pasi nëpërmjet kësaj platforme, ne mund të nisim për të menduar qasjen e Rusisë, pasi lufta në Ukrainë të përfundojë”, tha kryeministri shqiptar.
Rruga evropiane dhe ajo euro-atlantike e Shqipërisë, sipas kryeministrit, nuk mund ta detyrojë shtetin që ai drejton të heqë dorë nga bashkëpunimi i ngushtë me Turqinë.
“Është e rëndësishme gjithashtu që të thuhet qartë dhe me zë të lartë miqve tanë evropianë dhe amerikanë që në juglindje të Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, Turqia nuk është një fuqi e tretë. Turqia është një fuqi dhe përsa i përket rajonit tonë është një fuqi vendimtare. Prandaj, është e rëndësishme që ne të kemi me Turqinë partneritet strategjik në diplomaci, politikë dhe ekonomi”, thotë Rama.
Përballë Presidentit Erdogan, Rama nuk la pa kujtuar edhe rolin e Turqisë në modernizimin e shtetit shqiptar, sidomos në aspektin ushtarak, për t’i ngritur Forcat e Armatosura të Shqipërisë në standardet e NATO-s.