Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës ku ka folur kundër raportit të Dick Martyt kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rama ka deklaruar se situata e Kosovës para shumë vitesh mund të krahasohet me atë të Ukrainës sot, ndërsa ka tërhequr paralele mes ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit aktual të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkruan lajmi.net.
“Përpiquni të përfytyroni presidentin Zelensky 10 vjet më pas të bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale si Thaçi sot (ish-presidenti i Kosovës i cili gjendet në paraburgim nën dyshimet për krime lufte), sepse Rusia e Moska tashmë kanë nisur të thonë se ka trafikim organesh në disa zona”, ka deklaruar Rama.
Tutje, ai ka thënë se është duke folur për raportin e Dick Martyt dhe akuzat e rrejshme në bazë të së cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale, por se ka thënë se këtë nuk po e bën për hir të Kosovës e as Shqipërisë, por për hir të Asamblesë së KE-së, të cilën Rama e ka quajtur “tempull evropian të besimit”.
“Jam këtu për të kërkuar të shpëtojmë fytyrën tonë, t’i ndihmojmë njerëzit dhe t’u japim shpresë që qëndresa e tyre nuk do të gjykohet. Ju bëj thirrje të rrëzoni akuzat kundër Kosovës, ju bëj thirrje të pranoni kërkesën e Shqipërisë që të rrëzoni një Rezolutë që degradon luftëtarët e Ushtrisë heroike Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Rama.
Ai ka folur me dyshime nëse njerëzit nuk do të luftojnë për të drejtat e tyre nëse nuk kanë besim.
“Të drejtat e njeriut janë në rrezik gjithkund, andaj edhe ju duhet të luftojnë. Por njerëzit nuk mund të luftojnë kur nuk ka besim, besimi është gjithçka”, ka deklaruar Rama.