FC Drita do të sfidojë skuadrën e madhe holandeze AZ Alkmaar të enjten në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Një ditë para ndeshjes, kryetrajneri Zekirja Ramadani dhe sulmuesi Arb Manaj u shprehën optimistë për mundësitë e ekipit të tyre përballë holandezëve.
Trajneri Ramadani theksoi se ekipi është i përgatitur dhe i motivuar për të dhënë maksimumin, duke shtuar se kërkon nga lojtarët që të dalin të pamposhtur.
“Nëse nuk do ishim të gatshëm, nuk do kishim arritur deri këtu. Çdo takim e kemi përgatitur me maksimum, duke analizuar kundërshtarin dhe duke i dhënë informacion futbollistëve. Ekipi është shumë i gatshëm, por duhet disiplinë taktike në çdo moment”.
“Pas 4 ndeshjeve kemi 8 pikë dhe shpresojmë të vazhdojmë ecurinë pozitive. Një fitore do ta ndryshonte gjithçka, por më e rëndësishmja është që secili lojtar të japë gjithçka në fushë. Nuk kam frikë nga presioni dhe gjithmonë kërkoj nga futbollistët që objektivi të jetë të dalim të pamposhtur. Bazuar në analizat tona, shpresoj që nesër të japim maksimumin”, deklaroi Ramadani.
Ndërkohë, sulmuesi Arb Manaj shprehu optimizmin e tij para ndeshjes,
“Jam i gatshëm për ndeshjen e nesërme. E kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe shpresojmë të dalim me një rezultat pozitiv. Shpresojmë që edhe tifozët të na mbështesin dhe të jenë lojtari ynë i 12-të”, u shpreh Manaj.
Drita synon të ruajë formën e mirë dhe të tregojë karakter në sfidën e nesërme, përballë një prej skuadrave më të forta të Holandës.
