Mesfushori Ylber Ramadani ishte në krah të trajnerit Sylvinho në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Poloninë, teksa deklaroi se skuadra është përgatitur maksimalisht për të marrë fitoren para publikut kuqezi në “Air Albania”.
Brenda pak kohësh kanë ndryshuar shumë gjëra, pasi tashmë jeni rikthyer në titullar në Kombëtare dhe keni arritur në Serinë A. Si ia keni dalë?
Unë kam punuar shumë për të arritur synimet e mia dhe do të vazhdoj të punoj. E vetmja mënyrë për të rritur aty ku do, është të punosh shumë dhe unë nuk e kam ndalur punën.
Në media është thënë që jeni zhgënjyer për barazimin në Çeki. A do të shërbejë kjo për të dhënë maksimumin ndaj Polonisë?
Ne luajmë gjithmonë për fitore, pavarësisht rezultatit. Luajtëm për fitore edhe në Çeki, por nuk ia dolëm. Atmosfera është e mirë dhe do të luajmë për fitore. Jemi profesionistë dhe dimë të luajmë edhe nën presion. E dimë që do të kemi në krah edhe tifozerinë tonë dhe kemi punuar shumë, për të marrë rezultatin që do të na kënaqte të gjithëve, fitoren.
A do të luajë sërish Shqipëria me presion lart ndaj kundërshtarit?
Ne e dimë mirë objektivin tonë dhe do të luajë gjithmonë duke bërë presion lart, pasi duam të fitojmë. Edhe ndaj Polonisë do ta nisim në sulm, pasi duam të marrim tre pikët.
Cili është morali i skuadrës, duke qenë se Shqipëria e ka humbur ndeshjen e parë në Varshavë? Edhe dy vite më parë, pavarësisht mbështetjes, Polonia ia doli të fitojë ndaj Shqipërisë. Çfarë do të bëni ndryshe nesër?
Atmosfera në grup është shumë e mirë. E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne jemi përgatitur për të bërë më të mirën, ndaj shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.