Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka thënë se skuadra e tij është me plot meritë në vendin e parë dhe një hap larg titullit të kampionit.
Ai ka theksuar se paraqitja e futbollistëve të tij ndaj atyre të Feronikelit ishte e madhe. Prishtina fiton të dielën nga Feronikeli 2:1, në kuadër të xhiros së 34-t të Superligës në futboll.
“U zhvillua një derbi i vërtetë dhe me shumë emocion. E nisëm mirë, shënuam gol dhe kishim posedimin e topit dhe lojën në kontroll. Por, një gabim që mendoj se u ndodhë edhe portierëve me emër të madh, mirëpo ajo që më gëzoi ishte shpirti luftarak i lojtarëve. Treguan se mund t’i ndalin në ndihmë shokut të ekipit. Pastaj, e shënuam golin e dytë, por pastaj kishim një penallti kundër nesh. Fati dhe Zoti i ndihmon ata që kanë guxim. Ishte një ndeshje me luftë të madhe nga të dyja skuadrat, por këtu ku jemi, jemi me shumë meritë”, ka thënë Ramadani pas fitores ndaj Feronikelit.
Me këtë fitore Prishtina është forcuar në vendin e parë me 75 pikë, pesë më shumë se Drita në vend të dytë dhe shtatë më shumë se Ballkani. Deri në fund kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar.
Prishtina në xhiro ne parafundit luan në udhëtim ndaj Gjilanit, ndërsa ndeshjen e fundit e luan në Prishtinë kundër Ballkanit. Për t’u bërë kampione i duhet vetëm një pikë nga këto dy përballje, shkruan gazetasheshi.