Ramosaj thotë se raporti i “Europa Nostra” është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin

Ramosaj thotë se raporti i “Europa Nostra” është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin

Lidhur me raportin e organizatës “Europa Nostra”, ku është konsideruar të jetë i rrezikuar Manastiri i Deçanit ka reaguar kryetari i komunës, Bashkim Ramosaj.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij ‘Facebook’ ka bërë të ditur se ky raport është i pabazuar.

“Vlerësojmë se raporti i publikuar më datë 13.07.2022, nga ‘EuropaNostra’ është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit”, thuhet në reagimin e Ramosajt.

“E themi me bindje që ‘EuropaNostra’ nuk i është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës i drejtpërdrejtë në këtë zonë, i cili i është prezantuar delegacionit të ‘EuropaNostra’ gjatë takimit në komunën e Deçanit!”.

Ai ka shprehur indinjatën kundrejt pretendimit të organizatës që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara.

“E themi me përgjegjësinë më të lartë që objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit në fjalë”, tha ai.

Gjatë këtij muaji në Kosovë kanë qëndruar për vizitë përfaqësuesit e Shoqatës “Europa Nostra” të cilët janë takuar me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, por edhe ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe atë të Kulturës, Hajrullah Çekun.

Aliu ka thënë të premten se “përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë nuk është e drejtë”, sipas tij “pasi që nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”.

“Europa Nostra” e ka futur Manastirin e Deçanit në mesin e shtatëve monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Related Articles