Ramush Haradinaj u rizgjodh sot kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një postim në Facebook ku njoftoi për këtë duke i falënderuar delegatët e kuvendit zgjedhor të AAK-së, Haradinaj e “formoi” një tjetër asociacion të komunave.
“Asociacioni i komunave të Aleancës”, thuhet në një pjesë të postimit të Haradinajt.
Postimi i tij i plotë:
Delegatë të Kuvendit të IX Zgjedhor të AAK-së. Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe votën plebishitare që ta udhëheq Aleancën edhe për katër vitet e ardhshme.
I lumtur që në këtë kuvend, u morën disa vendime shumë të rëndësishme që do të kenë efekt të jashtëzakonshëm në jetën politike, jo vetëm të Aleancës.
Asociacioni i komunave të Aleancës, depërtimi i organizimit tonë në çdo vendbanim të Kosovës dhe trupat e ekspertëve në fushat më të rëndësishme, janë përgjigja më e mirë e Aleancës ndaj oportunistëve dhe popullistëve në skenën politike të këtij vendi.
Jam jashtëzakonisht i kënaqur me frymën e unitetit që sot e pashë në Kuvendin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Aleancë, na priftë e mbara!