Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi ka folur lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan për Kosovën.
Mjekiqi përmes një konference për media tha se mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve nga ana e Qeverisë jep shembull të keq për shoqërinë.
Mjekiqi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dënon praktikën e sulmeve ndaj mediave
“LDK dënon praktikën e sulemeve ndaj mediave pa marrë parasysh se nga vijnë. Mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë jep një shembull të keq për shoqërinë dhe jep mundësinë që ai shembull të ndjeket edhe nga të tjerët”, tha Mjekiqi.
Ajo poashtu tha se DASH paraqet edhe vështirësitë që kanë hasur gazetarët në përpjekjet për të ju qasur dokumenteve publike.
“Raporti i DASH vë në pah vështirësitë me të cilat janë përballur gazetarët në përpjekjet për të ju qasur dokumenteve publike. Le të kujtojmë poashtu se raporti i fundit i Freedom House thekson po e citoj qeveria Kurti ndërmori një sërë vendimesh kyçe që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi me transparencë të kufizuar dhe pa u konsultuar me kuvendin”.
“Rrjedhimisht kërkojmë nga qeveria që t’i adresojë këto shqetësime të paraqitura në disa raporte ndërkombëtare”, tha Mjekiqi.
LDK ka kërkuar nga qeveria që ta marrë seriozisht raportin e Departamentit të Shtetit.
“Sundimi i ligjit gjatë vitit 2021 në raportin e DASH është karakterizuar me mosveprim të qeverisë dhe institucioneve për të ndjekur penalisht rastet e korrupsionit. Ndërkaq rastet e korrupsionit mbeten të pandëshkuara. LDK kërkon që qeveria e Kosovës të marrë seriozisht raportin e DASH dhe jo ta injorojë atë”, tha ajo.