Në raportin 24 orësh të policisë janë raportuar gjashtë raste që cilësohen si sulme seksuale, ngacmime seksuale dhe kanosje, të gjitha ndaj grave dhe vajzave.
Në Prishtinë, thuhet se janë arrestuar katër persona në katër raste të ndara. I dyshuari i parë u arrestua dje si i dyshuar për sulm seksual ndaj një vajze më 11 maj të këtij viti. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në rastin tjetër një i arrestuar nuk e kishte përfillur urdhrin e gjykatës për që mos t’i afrohej në distancë deri 300 metra ish-dashurës së tij. Ai i kishte shkuar tek banesa dhe e kishte fyer.
Në kryeqytet po ashtu u arrestuan edhe dy persona për ngacmim të dy vajzave, njëri rast e kishte ngacmuar të dashurën e tij, si dhe rasti tjetër është pasi i dyshuari e kishte ngacmuar nëpërmjet telefonit ish të dashurën.
Po ashtu edhe në Prizren, një vajzë e cila ka qenë në lidhje dashurie është kanosur, sulmuar dhe detyruar nga një i dyshuar. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Edhe në Rahovec, një person është arrestuar pasi e ka sulmuar dhe ngacmuar një grua bashkë me fëmijën e saj.
Në raport thuhet se i dyshuari dhe viktima janë përleshur mes veti dhe si pasoj kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Gazeta Enigma/