Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me mbështetjen financiare të SlovakAid – Asistenca Zyrtare për Zhvillimin e Republikës Sllovake dhe në bashkëpunim me Transparency International Slovakia, ka lansuar Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale për vitin 2021.
Indeksi i transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit komunën e Prishtinës të udhëhequr nga Shpend Ahmeti, si qytetin më transparent me 82.02 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga komunat e Rahovecit (80.97 pikë), Gjakovës (80.27 pikë), Mitrovica e Jugut (79.52 pikë), Lipjanit (78.72 pikë), Ferizajt (78.08 pikë), Kaçanikut (76.22 pikë), Pejës (75.87 pikë), Drenasit (72.10 pikë) dhe Podujevës (72.04 pikë).
Komunat me shumicë serbe, kanë rezultuar më jotransparentet gjatë vitit të kaluar. Komuna më veriore e Kosovës, ajo e Leposaviqit, është renditur e fundit për nga transparenca.
Në këtë matje është përshirë transparenca e komunave në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, transparenca buxhetore, transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, qasja në dokumente publike, përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, menaxhimi i pronës komunale, si dhe ndërmarrjet dhe organizatat publike në pronësi të komunave.
Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se Indeksi tregon se në vitin 2021 kishte një rritje të transparencës duke krahasuar indikatorët e njëjtë me ata të vitit paraprak.