Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur tejet e shqetësuar me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, i cili tha se Kosova ka shënuar rënie për 19 vende në indeksin vjetorin për lirinë e mediave.
Sipas LDK-së, raporti i “Reporterëve pa Kufij”, njëjtë si tri raportet e fundit, “Raporti i Progresi”, “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit” dhe “Freedom House”, që sipas tyre flisnin për kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, ngjashëm edhe ky i sotmi alarmon.
“Veçse në masë më të madhe, duke raportuar se Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies, duke u renditur në vendin e 75 nga 56 sa ishte vitin e kaluar. Ky raport na ka rikthyer në një korridor të errët të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave. Ky nuk është thjesht një sinjal përkeqësues; është një alarm që duhet të na mobilizojë të gjithëve”.
“Ky raport i cili përfshin Kosovën në grupin e vendeve, ku mjedisi i medias është “problematik”, thotë se, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike, flet për rregullatorin joefikas të medieve, për tentim mbylljen e televizionit Klan Kosova, dhe për emërimin e militantit të partisë në pushtet si drejtor i transmetuesit publik”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Tutje, LDK-ja tha se e sheh tejet alarmues raportin e “Reporterëve pa Kufij”, i cili sipas tyre flet për një ambient tejet shqetësues të të bërit gazetari në Kosovë.
“Sepse, sot në këtë ditë botërore duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, që është themeli i çdo demokracie të shëndetshme. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson po ashtu se demokracia nuk mund të mbijetojë në heshtje. Për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet një media e lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari. Prandaj, kjo situatë na bën të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe nevojën për të vazhduar punën me përkushtim të dyfishtë, për të mbrojtur dhe avancuar këto liri themelore”.
“Në këtë Ditë Botërore të Shtypit, LDK do të angazhohet të rrisë përpjekjet në mbrojtjen e lirisë së shtypit, dhe të sigurojë një mjedis më të sigurt dhe më inkurajues për gazetarët në Kosovë. Le të mos lejojmë asnjë kufizim të na ndalojë nga synimi ynë i përditshëm për një shoqëri më të lirë dhe më transparent”, thuhet në reagim.