Afganistani ka nisur sulme ndaj pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit, si përgjigje ndaj sulmeve ajrore pakistaneze të javës së kaluar, njoftuan autoritetet talebane.
Zyra e mediave e korpusit ushtarak të Afganistanit në Lindje tha në një deklaratë se “përleshje të ashpra” kishin nisur vonë të enjten, “si përgjigje ndaj sulmeve të fundit ajrore të kryera nga forcat pakistaneze në provincat Nangarhar dhe Paktia”.
“Si përgjigje ndaj provokimeve dhe shkeljeve të përsëritura nga qarqet ushtarake pakistaneze, janë nisur operacione sulmuese në shkallë të gjerë kundër pozicioneve dhe instalimeve ushtarake pakistaneze përgjatë Linjës Durand”, shkroi zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, në një postim në X.
Kufiri prej 2 mijë e 611 kilometrash (1,622 milje) midis dy vendeve njihet si Linja Durand, të cilën Afganistani nuk e ka njohur formalisht, shkruajnë mediat ndërkombëtare
Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Pakistani ndaj këtyre njoftimeve, shkruan Al Jazeera.
Të dielën, ushtria pakistaneze kreu sulme përgjatë kufirit me Afganistanin, duke pretenduar se kishte vrarë të paktën 70 luftëtarë. Afganistani e hodhi poshtë këtë pretendim, duke deklaruar se ishin vrarë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.
