Një 21-vjeçare me prejardhje nga Kosova raportohet se ka vdekur si pasojë e plagëve të rënda që mori në një aksident të rëndë trafiku në Reutlingen, Gjermani.
Siç ka bërë të ditur policia e Reutlingenit mëngjesin e së hënës, vajza u aksidentua të enjten, më 10 korrik, në autostradën B28 mes Metzingen dhe Reutlingen. Automjeti i saj doli nga rruga, u përmbys disa herë dhe ajo mbeti e plagosur rëndë.
Ndërkaq, e reja që mediat në Kosovë po raportojnë se është nga Kosova, vdiq të shtunën mbrëma.
Siç raportojnë mediat gjermane, pas aksidentit, rruga B28 u mbyll plotësisht në drejtim të Reutlingenit.
Në vendngjarje ishte thirrur edhe helikopteri i shpëtimit, transmeton “albinfo”.
Sipas policisë, makina doli nga rruga pa u përplasur me ndonjë automjet tjetër. Hetimet e njësisë së qarkullimit rrugor vazhdojnë.