Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, privatisht ka shprehur shqetësime te demokratët lidhur me kandidaturën e presidentit Joe Biden, dhe Nancy Pelosi privatisht e ka paralajmëruar Bidenin se demokratët mund ta humbin aftësinë që të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nëse ai nuk largohet nga gara për zgjedhjet e nëntorit.
Kështu raportoi Associated Press duke u thirrur në burime të informuara për këtë çështje.
Pelosi po ashtu i ka treguar sondazhe Bidenit dhe ka argumentuar se ai me gjasë nuk mund ta mposhtë republikanin Donald Trump, edhe pse ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të enjten përmes një deklarate tha se raportimet me burime anonime “keqinterpretojnë çdo bisedë” që ajo mund të ketë zhvilluar me presidentin.
Pelosi dhe Obama janë demokratët e nivelit më të lartë që raportohet se i kanë bërë thirrje Bidenit të rishqyrtojë vendimin për të garuar edhe për një mandat.
Obama raportohet se u ka thënë aleatëve se Bideni duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë e fushatës së tij, por gjithashtu e ka bërë të qartë se ky vendim i përket Bidenit që ta ndërmarrë. Ish-presidenti ka folur ditëve të fundit me udhëheqës të Kongresit, me guvernatorë demokratë dhe me donatorë kyçë. Ata kanë diskutuar për shqetësimet e tyre për Bidenin, i cili ka shërbyer si nënpresident i Obamas.
Biden ka insistuar se ai nuk do të largohet nga gara, duke thënë se ai është kandidati që ka mposhtur në të kaluarën Trumpin dhe do ta mposhtë sërish.
AP raporton se sipas një personi të afërt me diskutimet e brendshme, Biden në ditët e fundit është edhe më i përkushtuar që të qëndrojë në garë.