Rashani e shpëton Clermontin nga një disfatë tjetër me golin e katërt sezonal në Ligue 1

Rashani e shpëton Clermontin nga një disfatë tjetër me golin e katërt sezonal në Ligue 1

Elbasan Rashani ishte heroi i Clermont duke e shënuar një gol i cili i ndihmoi skuadrës së tij ta fitojë një pikë të vuajtur kundër Brest të dielën në Ligue 1.

Ishte goli i katërt në pesë ndeshje deri tani në ligën elitare franceze për Rashanin, që e bën përfaqësuesin e Kosovës golashënuesin më të mirë të skuadrës së sapopromovuar në këtë fillimsezon.

Clermont e nisi sezonin në Ligue 1 me dy fitore në dy ndeshjet e para, por që prej atëherë ka katër ndeshje radhazi pa fitore. Gjërat kanë mundur të shkonin shumë më keq për skuadrën e Pascal Gastien, sikur mos të ishte për yllin kosovar.

Clermont mbeti me një lojtar më pak në fushë gjithë pjesën e dytë, kur Johan Gastien u përjashtua nga loja me karton të kuq në minutën e 50-të. Bresti, i cili është pa fitore këtë sezon, e shfrytëzoi këtë epërsi numerike në fushë dhe kaloi në epërsi menjëherë në minutën e 52-të.

Por Rashani doli në skenë përsëri dhe shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 65-të, për t’ia shmangur një tjetër humbje ekipit të vet. Kjo është hera e tretë në katër ndeshjet e fundit që anësori kosovar shndërrohet në hero për Clermont me golat dhe asistet e tij.

Ai i kishte shënuar dy gola, përfshirë njërin në çastet e fundit të takimit dramatik në barazimin 3:3 me Lyonin javë më parë. Ndërsa, në ndeshjen e parafundit, ai asistoi një herë dhe shënoi një herë tjetër për t’i ndihmuar Clermontit ta përmbysë një disavantazhin prej dy golave për të barazuar 2:2.

Tani për tani, 28-vjeçari është golashënuesi më i mirë i Clermont në Ligue 1 me katër gola. Clermont është në vendin e gjashtë në Ligue 1, me nëntë pikë pas gjashtë ndeshjeve. 

Related Articles