Nenad Rashiq, ministër për Komunitete e Kthim, i është përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili kishte thënë se, emërimi i Rashiqit si ministër nuk përmbush atë që parashihet në Kushtetutën e Kosovës.
Rashiq, ka thënë se, nga biografia e Stanos, ai nuk ka parë që zëdhënësi i BE-së ka njohuri për Kushtetutën e Kosovës.
“Kur e pashë biografinë e Stanos, nuk e pashë se ai ishte i njohur me Kushtetutën e Kosovës, ndaj i sugjeroj ta lexojë me kujdes”, ka thënë Rashiq, raporton Kosovonline.
Ministri pos kësaj ka thënë se, kryeministri ka të drejtë të shkarkojë e të emërojë ministrat pa pëlqimin e kuvendit.
“Neni 94 thotë se kryeministri, sipas ligjeve të Kosovës, ka të drejtë të shkarkojë dhe emërojë ministrat pa pëlqimin e Kuvendit”, ka thënë Rashiq.
Kujtojmë se zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë “se emërimi i Nenad Rashiqit në BE është zhgënjim, sepse nuk përmbush atë që parashihet me Kushtetutën e Kosovës”, duke shtuar se tani duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.