Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se pushteti në Serbi në krye me presidentin Aleksandar Vuçiq, po i përdorë serbët e Kosovës për interesa persona, raporton Gazeta “Enigma”.
Këtë deklaratë ai e dha në një konferencë të mbajtur për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Një qeveri dhe autoritete radikale autoktone janë njerëz të paskrupullt, që janë gënjeshtarë dhe manipulues, që duan t’i shfrytëzojnë serbët e Kosovës për interesat e tyre personale. Kjo do të thotë se ata i përdorin serbët e Kosovës si mekanizëm menaxhues, një mekanizëm që ndonjëherë është përdorur edhe si element për destruktivitet, jo për konstruktivitet. Ata nuk duan që ne të kemi një integrim të plotë apo jetë të harmonishme në Kosovë, por pikërisht të kundërtën e kësaj”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike Progresive theksoi se ajo që po ndodh në Serbi është me të vërtetë një pasqyrim i revoltës jashtëzakonisht të madhe që ndjejnë qytetarët, qofshin ata studentë, nxënës të shkollave të mesme apo vetë qytetarë.
“Kështu që kjo është ajo që unë do ta quaja një sekuencë natyrore rrethanash për qeverinë e Beogradit që në fund do të rezultojë që ajo qeveri, ai pushtet në krye me Vuçiqin, të ikë prej jetëve tona, sepse kanë shkaktuar dëmin më të madh dhe pikërisht po u shkaktojnë serbëve të Kosovës, në të cilët vazhdimisht thirren se kinse po i mbrojnë,” shtoi Rashiq.