Rashiq për zgjedhjet në Veri: Kryetarët të japin dorëheqje

Rashiq për zgjedhjet në Veri: Kryetarët të japin dorëheqje

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, për zgjedhjet e reja në veri, qëndron më afër preferencës së Bashkimit Evropain se sa të kryeministrit Kurti. Opsionin e dorëheqjeve të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore e konsideron si një veprim strategjik.

Rashiq ka thënë se nuk ka interes të posaçëm nga ana e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në peticionin për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Tutje, ai ka thënë se kjo varet nga vullneti i Beogradit.

“Sa e di unë nuk ka interes të posaçëm për këtë peticion në këtë moment tash, por kjo nuk do të thotë që kur të përgatitet ajo si peticion, ndoshta deri në atë kohë ndryshohet me dijeni të qytetarëve atje dhe ndoshta marrin pjesë në peticion. Tash për momentin, po ta kishim organizuar peticionin kish dështu, sepse është koha e pushimeve, vullneti nuk është në nivelin maksimal. Prandaj varet prej momentumit”, ka thënë ai.

“Fatkeqësisht varet nga një vullnet pozitiv ose të gatishmërisë nga ana e Beogradit që prapë nuk shkon gjithqysh në favor të, qoftë pajtimit mes popujve, qoftë në dizajnimin e politikës autoktone të serbëve të Kosovës. Andaj, fatkeqësisht procesi po komplikohet pa arsye dhe në këtë aspekt, unë absolutisht përkrah, siç ka thënë ministri Krasniqi sot që kjo vjen kur organizohet një udhëzim administrativ i tillë, kjo vjen pastaj për më shumë kohë. Por nga ana tjetër, momentumi tash për tash, nuk është i pjekur për një gjë të tillë, prandaj nuk mund të parashikoj se çfarë mund të ndodh për shembull nëse ndodh në fillim të shtatorit, në këtë moment nuk mund të vlerësoj se a do të marrin serbët pjesë a jo”, ka thënë Rashiq.

“Gjithqysh kemi me pasë një nivel të interesimit që të marrin pjesë, nuk mund të them që do të jetë 100 për qind por me siguri që do të ketë organizata politike ose grupacione formale ose joformale që të marrin pjesë në zgjedhje sepse e dimë që në këtë moment janë krijuar disa kushte normale dhe kështu që në disa komuna do të ketë pjesëmarrje eventuale të serbëve. Por prapë, po ritheksoj, që në këtë moment, vullneti ose gatishmëria është e ulët, por kjo nuk do të thotë që do të kemi për një muaj një interes më të madh”, është shprehur Rashiq.

“Unë kisha konsideruar si një veprim strategjik nëse kryetarët mund të ofrojnë dorëheqje se atë opsion ne e kemi një iniciativë, ose më mirë të them, institucionet e Kosovës nëse e kemi për qëllim integrimin e serbëve në veri, po të kishin dhënë dorëheqje kryetarët, ne do të kishim pas iniciativë të dizajnimit të skenës politike në Veri”, tha ai për Express.

Related Articles