Rashiq: Policët serbë që u dorëhoqën u kërcënuan, shënjestruan e u fyen

Rashiq: Policët serbë që u dorëhoqën u kërcënuan, shënjestruan e u fyen

Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi që tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marr detyrën.

Sipas Rashiqit ata e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve”.

Sipas tij nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën njëherë.

“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.

Ai u ka thënë pjesëtarëve të rinj serb të Policisë së Kosovës se se di se çfarë po kalojnë ata dhe familjet e tyre.

“Një brigadë mercenarësh të pashpirt na ndjek me detyrën për të vjedhur planet dhe ëndrrat tona … Mund të mos ju njoh personalisht, por më besoni e njoh mirë metodologjinë mizore të punës së tyre dhe e di se sa e vështirë është të qëndrosh i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm në kushtet jo normale dhe jo morale që na imponohen me dhunë”, thuhet në reagim.

“Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.

Më 25 korrik në Veri kanë nisur punën 74 policë të rinj të komuniteteve joshumicë. Prej tyre, 45 ishin të komunitetit serb.

Policët e rinj u patën shpërndarë në katër komunat e veriut- Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Mirëpo menjëherë pas nisjes së punës, pjesëtarët serbë u ballafaquan me linçime.

Ndërkaq, kujtojmë se më 5 nëntor, për shkak të vendimit për targat, afër 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje.

Related Articles