Ministri i sapoemëruar për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Republikës së Kosovës Nenad Rashiq tha se pret të ketë mbështetjen e plotë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në detyrën e tij të re dhe se detyra e tij është të jetë më i mirë se paraardhësi i tij Goran Rakiq, gjë që sipas tij nuk do të jetë e vështirë.
Vendimi për emërimin e Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim është nënshkruar mëngjesin e sotëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kemi pasur një takim të gjatë, për planet tona dhe se si ai mendon se duhet të duket bashkëpunimi ynë. Edhe unë kam pasur propozimet e mia. Vetë akti i nënshkrimit për mua do të thotë që patjetër do të përpiqemi të bëjmë marrëdhënie më të mira që janë sepse nga të gjitha këto rrethana që kemi pasur muajt e fundit, për mendimin tim, jam absolutisht në një pozitë të pafavorshme”, tha Rashiq.
Ministri i ri pret të ketë mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti.
“Është me të vërtetë e rëndësishme që ne të marrim një përfaqësues i cili do të ishte një serb autentik i Kosovës dhe që do të punonte sinqerisht në interes të qytetarëve, në radhë të parë serbëve dhe komuniteteve tjera, por jo në dëm të shqiptarëve. Është një detyrë dhe ajo është të jem ministër më i mirë se ministrat e mëparshëm, duke marrë parasysh rezultatet e tyre, ose më mirë rezultatet e tyre të këqija, puna ime nuk do të jetë e vështirë për të qenë më i mirë se ata. Këto janë pritjet e mia të përgjithshme,ka përfunduar Rashiq.
“Kryeministri Kurti e ka uruar Rashiqin për detyrën dhe përgjegjësinë e re institucionale”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.