Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se e ka shkarkuar zëvendësin e tij, Radojica Radomiroviq.
Shkarkimi i tij vjen pasi Radomiroviq dha dorëheqje nga partia “Iniciativa për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” me kryetar Rashiqin, duke akuzuar udhëheqësinë për pabarazi dhe jotransparencë.
E Rashiqi e ka dhënë një version tjetër të situatës.
“Sa i përket ish-zëvendësit Radomiroviq, unë jam informuar nga kolegët e mi, si ministri Sveçla dhe Krasniqi, për disa sjellje të dyshimta politike të Radomiroviqit. Dhe në përputhje me performancën shumë të dobët që kam vërejtur, kam biseduar me Radomiroviqin rreth dy-tri javë më parë dhe i kam kërkuar të japë dorëheqjen, sepse në përgjithësi nuk jam i kënaqur me punën e tij”, ka thënë ministri në një konferencë të sotme për media, transmeton Klankosova.tv.
Ai tha se kërkesa drejtuar zëvendësit të tij për dorëheqje, nga Radomiroviqi u pranua “pak në mënyrë dramatike”, dhe më pastaj, Rashiqi thotë se u detyrua të kërkojë nga kryeministri Albin Kurti zëvendësimin e tij.
Ministri, në këtë konferencë pati fjalë shumë të këqija për ish-zëvendësin e tij, me të cilin ka punuar për më shumë se një vit, dhe thekson se Radomiroviq është një “person shumë kontrovers”.
“E di dhe e kam ditur që në fillim se ai, për fat të keq, nuk ka as karakter, as kapacitete etike dhe as intelektuale për përfaqësim të lartë në qeveri, por duhet të kuptoni që ndonjëherë ne politikanët duhet të punojmë me çfarë kemi ne”, u tha Rashiqi gazetarëve në konferencën për media.
Ai më tej pohon se “ndryshimet në politikë janë krejtësisht normale”, dhe se “nuk ka rëndësi nëse Rakiq apo Radomiroviq është zëvendësministër”, por drejtimi strategjik, i cili, siç thekson ai, është integrimi i serbëve të Kosovës në sistemin e Kosovës.
Radomiroviq ka njoftuar se do të formojë partinë e tij pas largimit nga partia e Rashiqit. Për këtë, ministri për Komunitete dhe Kthim tha se është “i gatshëm të vë bast se çfarëdo që të formohet, në atë moment do të ketë të njëjtin qëndrim si Lista Serbe”. Kjo, thotë ai, flet shumë për mënyrën sesi punonte Radomiroviqi kur ishte zëvendësministër.
Rashiq thotë se “ka vënë re sjelljen e papërshtatshme të Radomiroviqit në dy-tre muajt e fundit”.
“Radomiroviqi nuk ka mundur asnjëherë ta kalojë kontrollin e sigurisë, po ashtu Radomiroviq në llogarinë e tij në Facebook ka postuar ato llogari nga koha e Listës Serbe ku është vërtetuar qartë se çfarë përvetësimesh janë bërë në periudhën e kaluar”. Megjithatë, ai tha se nuk ishte kompetent për të dhënë informacione të tjera për të.
Në përgjigje të akuzave të Radomiroviqit se mjetet e Ministrisë shkojnë në Graçanicë, Llapllasellë dhe Dobrotin, e jo në Shtërpcë dhe në veri të Kosovës, Rashiqi thotë se ekziston një listë me të dhëna për fituesit, komunën dhe kombësinë dhe se ato të dhëna do t’ua ofrojë mediave për të përcaktuar nëse ndonjë rajon është dëmtuar.
Rashiqi më tej thekson se ekziston një komision që punon në mënyrë të pavarur për të përcaktuar kushtet për kalimin e projektit. “Nëse nuk plotësojnë kërkesat teknike, askush nuk mund të vendosë dikë në ato lista dhe parimi që kemi pasur vitin e fundit është që të kemi një grup monitorues të jashtëm që mbikëqyr procedurën. Dy vjet pas marrjes së projektit, Ministria kryen një kontroll të detajuar të projektit”, ka thënë ministri.
Ai thekson se në veri të Kosovës përmes projekteve të ndryshme janë investuar 340 mijë euro.
“Sa i përket rezultateve të punës, sidomos në veri, vitin e fundit kemi pasur një depërtim të aplikacioneve në sektorin tonë, kemi ngritur afirmimin që njerëzit të aplikojnë kështu që vitin e fundit kemi pasur 150 aplikues, prej të cilëve 88 janë miratuar, që do të thotë diku rreth 63 % e aplikacioneve nga veriu janë pranuar”.
Po ashtu, thotë ai, edhe për qytetarët në veri janë dhuruar materiale ndërtimore, që do të thotë se nga 33 kërkesa, 31 janë miratuar.
Rashiqi thotë se qytetarët në veri nuk kanë pasur përvojë në paraqitjen e kërkesave për projekte dhe se, siç thotë ai, ka dërguar dy bashkëpunëtorë të tij atje “për t’i edukuar qytetarët për aplikimin”.
Radoica Radomiroviq që dha dorëheqje nga partia e ministrit Rashiq, ka thënë se është shkarkuar nga posti i zëvendësministrit. Ai e ka akuzuar Rashiqin për “neglizhencë ndaj serbëve në veri”.
“Ai që më caktoi në postin e zëvendësministrit është ai që më zëvendësoi. Ishte e pritshme. Hyra në debat me Rashiqin duke e ditur rezultatin. Unë nuk mund të udhëhiqem nga interesat personale, por vetëm nga interesat e qytetarëve dhe bashkëpunëtorëve të mi”, tha Radomiroviq për “Kossev”.
Ai ka thënë se nuk i është treguar arsyeja e vendimit.
Radomiroviq ka shtuar se priste që të shkarkohej më herët se që kishte biseduar me ministrin Rashiq, kur, siç thotë ai, kishte konstatuar se “nuk ka mirëkuptim për qytetarët e veriut të Kosovës”.
Ai pretendon se Ministria për Komunitete dhe Kthim që udhëhiqet nga Nenad Rashiq ndan mjete për “bashkëpunëtorët më të afërt” të tij.