Statistikat për infeksionet seksualisht të transmetueshme tregojnë rënie, por në QKUK thonë se janë në rritje

Statistikat për infeksionet seksualisht të transmetueshme tregojnë rënie, por në QKUK thonë se janë në rritje

Statistikat thonë se në Kosovë ka gjithnjë e më pak persona me infeksione seksualisht të transmetueshme. Por, e vërteta qëndron ndryshe. Kjo pasi që statistikat nuk e pasqyrojnë realitetin.

Këtë e thekson vetë shefi i repartit për sëmundjet seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti.

“Nuk mund të flitet për rënie të numrit të rasteve të reja. Përkundrazi, mendoj se ka rritje të tyre”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Por, pse statistikat thonë të kundërtën?

Një raport për profilin gjinor të Kosovës, i publikuar në nëntor të vitit 2024 dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, thotë se arsyeja kryesore është se shumica e këtyre rasteve diagnostikohen në laboratorë privatë, që nuk i raportojnë ato në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK).

Në një përgjigje për REL-in, IKSHPK-ja tregon se, ligjërisht, të gjitha institucionet shëndetësore, qofshin ato private apo publike, janë të detyruara t’i raportojnë këto raste.

Madje, Ligji përkatës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse parasheh edhe afatin kohor, brenda të cilit duhet të bëhet raportimi. Shumë prej infeksioneve duhet të raportohen brenda 24 orëve.

Çka janë infeksionet seksualisht të transmetueshme?

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i definon këto infeksione si ato që përhapen kryesisht përmes kontakteve seksuale pa mbrojtje.

Nëse nuk trajtohen, sipas OBSH-së, “ato mund të çojnë në pasoja serioze, përfshirë sëmundje neurologjike dhe kardiovaskulare, infertilitet, shtatzëni jashtë mitre dhe rritje të rrezikut për infektim me Virusin e Imunodefiçencës Njerëzore (HIV)”.

Edhe pse shumica e infeksioneve të tilla nuk shfaqin simptoma, disa sinjale për to mund të jenë rrjedhjet e pazakonshme nga vagina, ulçeret gjenitale dhe dhimbja në pjesën e poshtme të barkut.

Pse duhet të raportohen?

Për Mehmetin, dukuria e mosraportimit të këtyre rasteve është shqetësuese.

“Është shumë e rëndësishme të dihet numri i rasteve të të infektuarve, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja dhe të trajtohen ata të infektuar. Duke u trajtuar dhe raportuar, zvogëlohet mundësia e transmetimit te personat e tjerë”, thotë Mehmeti.

Në bazë të statistikave ekzistuese nga rastet që raportohen, mbi 60 për qind e të infektuarve në Kosovë janë gra. Shumica i takojnë grup-moshës nga 25 deri në 49 vjeç dhe numri më i madh i të infektuarve është nga Peja, Prishtina dhe Ferizaj.

Mehmeti thotë se Klinika Infektive në QKUK ka mjaftueshëm staf e barna për t’i trajtuar këto raste, por se, prapëseprapë, shumica e tyre drejtohen për në institucione private të kujdesit shëndetësor.

Rol të madh luajnë paragjykimet në shoqëri për personat me këto infeksione, që, sipas Mehmetit, ekzistojnë ende, edhe pse në nivele më të ulëta sesa më parë.

“Ata ndihen më rehat nëse shkojnë në ndonjë klinikë private, sepse mundësia e takimit me më shumë njerëz është më e vogël dhe privatësia padyshim që është më e madhe”, thotë ai.

Sipas raportit për profilin gjinor të Kosovës të vitit 2024, një tjetër faktor që ka sjellë uljen e këtyre rasteve, janë ndryshimet në atë se çka cilësohet infeksion seksualisht i transmetueshëm e çka jo.

IKSHPK-ja thotë për REL-in se lista e këtyre infeksioneve është përditësuar në përputhje me “protokollet dhe udhëzimet e agjencive ndërkombëtare, si Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe OBSH-ja”, pa treguar se çfarë ndryshimesh janë bërë.

Aktualisht, IKPSHP-ja liston gjashtë lloje të infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Më të shpeshtat janë: condylloma acuminata dhe chlamydia tachomatis.

Në mesin e këtyre infeksioneve nuk hyn virusi HIV që shkakton sëmundjen AIDS, e që është gjithashtu seksualisht e transmetueshme.

Për dallim nga infeksionet e tjera, personat e infektuar me virusin HIV mund të gjejnë trajtim vetëm në Klinikën Infektive në QKUK. Numri i rasteve të reja është rritur dukshëm viteve të fundit, ndërsa deri më tani këtë vit janë identifikuar edhe shtatë raste të tjera.

Related Articles