Rasti i Agon Zejnullahut, Nrecaj: Paraburgimi i policëve në kundërshtim me ligjin – gjykata të mos vendos nën presion të publikut

Rasti i Agon Zejnullahut, Nrecaj: Paraburgimi i policëve në kundërshtim me ligjin – gjykata të mos vendos nën presion të publikut

Gjykata e Apelit në Kosovë e ka kthyer në rigjykim rastin e pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia” kur e kanë ndaluar 27-vjeçarin Agon Zejnullahu, më 7 korrik në qytetin e Lipjanit.

Përmes një komunikate për media, Gjykata e Apelit ka thënë se ua ka miratuar ankesat mbrojtësve të të pandehuruve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., dhe si përfundim e ka anuluar aktvendimin e datës 9 korrik të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e cila pati caktuar masë paraburgimi ndaj pesë zyrtarëve policorë, në kohëzgjatje prej një muaji.

Sipas gjykatës, “aktvendimi i ankimuar nuk përmban analizën dhe vlerësimin e provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar dhe për të vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet”.

“Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit i është propozuar gjykatës së shkallës së parë t’i evitojë të gjitha shkeljet e konstatuara në aktvendimin e ankimuar, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, është thënë në komunikatë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për të kthyer çështjen në rigjykim, në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut, në këtë vendim kemi të bëjmë vetëm në çështjen e caktimit të masës së sigurisë, në masën e paraburgimit e cila sipas ligjit, gjithmonë caktohet në një kohëzgjatje për një muaj.

“Vendimi për paraburgim prej 30 ditësh ishte në kundërshtim me ligjin”

Lidhur me këtë vendim, Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecajn, i cili tha se vendimi për paraburgim prej 30 ditësh ishte në kundërshtim me ligjin, duke këshilluar gjykatën që të vendosë në bazë të provave materiale dhe jo në bazë të presionit publik.

“Caktimi i masës së paraburgimit fillimisht ka qenë në kundërshtim me ligjin sepse këtë e vërtetoi edhe vet gjykata dhe ka qenë vendim shumë i ashpër sepse nuk është dashur të ju caktohet masa e tillë por ka mundur që të u caktohet një masë më e lehte, si arrest shtëpiak në mënyrë që të vazhdojë zbardhja e procesit. Natyrisht kjo nuk e përjashton pjesën që një qytetar vdes në duart e shtetit, gjithmonë mbetet të shihet se si Gjykata Themelore do ta trajtoj çështjen në rigjykim dhe shpresoj se do vendos mbi bazën e provave, dhe me anë të provave që janë te besueshme dhe te pakontestueshme”, tha Nrecaj në një prononcim për Gazetën Enigma.

Nrecaj tha se vendimi i Apelit për të kthyer çështjen në rigjykim varet nga ajo nëse gjykata ka arritur të ofrojë prova relevante dhe të besueshme.

“Natyrisht se ky vendim ka rezultuar si pasojë e mos vlerësimit të provova relevante të cilat nuk kanë argumentuar, ose provuar mjaftueshëm, për te konstatuar se vërtetë në rastin ka pasur dyshim se vepra penale është kryer nga pakujdesia. Kjo është një reflektim që në situata të tilla të cilat janë të ndjeshme, vërtetë duhet të merren hapa të bazuar në ligj dhe prova të besueshme, që do te argumentonin vërtetë pretendimet e prokurorisë mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuza”.

Tutje, eksperti i ligjeve tha se me këtë vendim të Apelit, i gjithë procesi do kthehet në pikën zero, duke e udhëzuar Gjykatën e shkallës së parë që e njëjta të administrojë dhe te bëjë vlerësimin e provova relevante, të cilat janë të besueshme.

Kjo, sipas Nrecajt, nënkupton që duhet te mblidhen faktet në gjitha lamitë, “duke përfshirë nga raportet zyrtare, analizat, ekspertizat profesionale, qoftë nga ana e mënyrës së veprimit të zyrtarëve policor, mirëpo edhe raporti i ekzamininit mjekësor që do jepte provën finale për te konstatuar se cili ka qenë shkaku i vdekjes së Zejnullahut”.

“Natyrisht kjo është një çështje që është shumë e ndjeshme dhe është rast që është nën llupën e publikut dhe në situata të tilla nuk guxon gjykata që të vendos nën presionin e publikut, por gjithmonë duhet të vendos duke u thirrur në ligj dhe duke e zbatuar ligjin ne përputhshmëri për situatën në fjalë”, përfundoi Nrecaj për “Enigmën”.

Sipas pamjeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, Zejnullahu duket se ka vdekur pak pasi është ndaluar nga forcat policore. Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor.

Policia pati thënë se Zejnullahu dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit. /Gazeta Enigma

Related Articles