Mërgimtari nga Gjilani, Musah Hamiti, që nga data 10 janar kishte humbur kontaktet me të afërmit e tij. Të alarmuar nga kjo situatë, familjarët kishin kërkuar ndihmën e organeve të rendit, ku e kishin raportuar të zhdukur. Pak më shumë se një muaj e dy javë pas, Hamiti u gjet pa shenja jete në bodrumin e një ashensori në një ndërtesë në rrugën Gjilan – Kamenicë.
Rastin e rëndë e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale, të cilët kanë bërë me dije se me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, teksa kanë nisur hetimet për vdekjen e tij.
Ndërsa Prokuroria Themelore e Gjilanit ka dalë me sqarime rreth këtij rasti, me ç’rast është bërë e ditur se në çantën e viktimës është gjetur edhe shuma e të hollave prej 86,250 Franga zvicerane, si dhe 350 Euro, tre telefona mobil dhe sende tjera personale.
“Pas raportimit si person i humbur, dyshimet e para kanë qenë në drejtim të veprës penale ‘’Rrëmbimi’’, pasi i njëjti pas lirimit nga qendra e paraburgimit në Lipjan, më 09 Janar 2024, kishte pasur me vete 86,250 Franga zvicerane, prandaj Prokuroria Themelore në Gjilan, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të kësaj vepre penale dhe veprime të shumta hetimore.
Pas gjetjes së personit të zhdukur, në çantën e tij është gjetur edhe shuma e lartcekur e të hollave prej 86,250 Franga zvicerane, si dhe 350 Euro, tre telefona mobil dhe sende tjera personale.
Prokurori i shtetit ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i të ndjerit të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu janë angazhuar ekspertë nga fakulteti teknik, me qëllim të ekspertimit të funksionalitetit teknik të ashensorit, janë bërë urdhëresa për ekzaminimin e telefonave dhe janë ndërmarrë veprime tjera hetimore.“