Në 25 vitet e fundit janë me qindra shqiptarë të arrestuar në Angli për qëllime esktradimi si të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Për herë të parë, si e kërkuar nga drejtësia shqiptare, është arrestuar në Angli një vajzë.
Sipas dokumenteve nga gjykata e ekstradimeve në Londër, Top Channel raporton se skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard, pas një urdhër arresti nga Shqipëria ka arrestuar Lirie Delishin.
Siç raportohet, 25-vjeçarja, me banim në veri të Londrës, kërkohet pasi sipas aktakuzës së ngritur nga drejtësia shqiptare, ajo dyshohet se në datën 22/08/2019 në territorin e Shqipërisë, mbante një pasaportë rumune të falsifikuar e cila i përkiste Simona Valcu.
Më tej në aktakuzë shpjegohet se Delishi kishte si qëllim ta përdorte këtë pasaportë sikur të ishte e vërtetë duke i vendosur foton e saj.
Delishi është duke i zhvilluar seancat gjyqësore të ekstradimit e lënë e lirë me kusht.