Rasti i vajzës nga Drenasi: Polici dënohet me katër vjet burgim, profesori me katër vjet e gjashtë muaj

Rasti i vajzës nga Drenasi: Polici dënohet me katër vjet burgim, profesori me katër vjet e gjashtë muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së mitur nga Drenasi.

Ndaj policit Vesel Veseli, për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjetëve.

Profesori Shkëlzen Xhekaj është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim, për veprat penale “Keqpërdorim seksual” dhe “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore të Prishtinës:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve SH.XH., V.V., G,H., F.C., I.R., G.Z. dhe H.H.

I akuzuari Sh.XH. është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës” nga neni 240 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjet e 6 (gjashtë) muaj.

I akuzuari V.V. është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale “Shtytja në ndërprerjen e shtatzënisë” nga neni 184 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 32 të KPRK-së, dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetëve.

I akuzuari G.H. është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.3 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetëve.

I akuzuari F.C. është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetëve me kusht që në afat prej 3 (tre) vjetëve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari I.R. është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetëve me kusht që në afat prej 3 (tre) vjetëve nuk kryen vepër tjetër penale.

I akuzuari G. Z., konfom nenit 364 par.1 pika 1.3, lirohet nga akuza për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës” nga neni 395 të KPRK-së.

Ndaj të akuzuarit H.H., konform nenit 363 par.1 nën par.1.1, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.

Related Articles