Rasti kundër administrimit të drejtësisë, Gosnell, gjyqtari i vetëm

Rasti kundër administrimit të drejtësisë, Gosnell, gjyqtari i vetëm

Një gjykim tjetër po përgatitet për Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se tashmë është përcaktuar gjyqtari që do të merret me rastin për pengimin e administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, në një përgjigje për RTK-në kanë konfirmuar se me vendim të kryetares Ekaterina Trendafilova, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është caktuar një gjyqtar i vetëm, Christopher Gosnell.

Në përgjigje tutje thuhet se Gosnell do të veprojë i vetëm pasi akuzat ndaj të akuzuarve nuk klasifikohen si krime të rënda. Po ashtu, sqarohet se sipas nenit 25 të ligjit, për këtë kategori aktakuzash, një panel gjyqësor mund të përbëhet vetëm nga një gjyqtar, shkruan RTK.

Më 12 nëntor, gjykatësi paragjyqësor dorëzoi rastin në mënyrë formale nga Dhomat e Specializuara.

Vitin e kaluar, Hashim Thaçit i është ngritur aktakuza për administrim të drejtësisë. Lidhur me këtë rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan më 6 dhjetor 2024 në objektin e paraburgimit në Hagë, bazuar në aktakuzën e konfirmuar dhe fletarrestimet e lëshuara nga Gjykata në Hagë.

Ndërkaq, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për seancën e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor.

Related Articles