Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi ka folur për zhvillimet politike në vend.
Bislimi, në një intervistë për Euronews në Serbi, ka përmendur edhe rastin në Shtërpcë, duke thënë se u bë një publicitet i madh dhe përveç në Kosovë e Serbi u raportua edhe në media botërore.
Sipas tij kjo tregon se sa të ndjeshme janë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe pritjet që janë ndaj Kosovës për zbatimin e mbrojtjes së pakicave.
Bislimi potencon se Kosovës i janë vendosur standarde të larta meqë një incident i tillë mori vëmendje shumë të madhe. Kur e thotë këtë, zv.kryeministri shton se nuk i kujtohet që të jetë raportuar ndonjëherë në Serbi për Nezir Mehmetajn i cili ka më shumë se dy vjet që mbahet në burg në Serbi dhe është krejtësisht i pafajshëm.
“Të gjithë e dinë këtë. Ai ka qenë i ndaluar për më shumë se dy vjet bazuar në një fotografi të vitit 1999. Serbia pretendon se ai është në atë foto, ndërsa burri nga Kosova tha se nuk është në atë foto”, ka thënë Bislimi.
Tutje thotë se në Serbi s’është raportuar asnjëherë për 20-30 shqiptarët e Kosovës që mbahen aktualisht në burgun e Nishit, meqë sipas Bislimit “duket se askush nuk pret që Serbia të respektojë të drejtat e pakicave”, ndërsa ka përmendur edhe rastin e plagosjes që ndodhi para disa ditëve në Shtërpcë.
“Incidenti që ndodhi në Shtërpcë mori një publicitet të madh. Nuk është raportuar vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe më gjerë, gjë që tregon dy gjëra: ndjeshmërinë e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe pritjet për mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Kjo tregon për standardet e larta që i janë vendosur Kosovës. Një incident i tillë merr kaq shumë vëmendje mediatike dhe për shembull, nuk më kujtohet që institucionet tuaja të kenë raportuar ndonjëherë për Nezir Memetajn, i cili ka më shumë se dy vjet në burgun serb dhe është krejtësisht i pafajshëm. Të gjithë e dinë këtë. Ai ka më shumë se dy vite në paraburgim në bazë të një fotografie të vitit 1999. Serbia pretendon se ai është në atë foto, ndërsa burri nga Kosova tha se ai nuk është në atë foto. Nga Serbia nuk ka pasur asnjëherë raportime për 20-30 shqiptarë të Kosovës që aktualisht ndodhen në burgun shtetëror në Nish, sepse me sa duket askush nuk pret që Serbia të respektojë të drejtat e pakicave. Mirëpo, pritshmëritë nga ana e Kosovës janë aq të mëdha sa edhe për një incident i tillë, ku dikush përballet me një rrugë të bllokuar dhe qëllon në asfalt…por të gjithë e dënojmë, të gjithë jemi të lumtur që personi është arrestuar dhe ne duam që sistemi ligjor të marrë një vendim që i takon”, është shprehur Bislimi.