Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari bashkëpunues thotë se ka pranuar ryshfet mbi 90 mijë euro bashkë me dy prej të akuzuarve

Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari bashkëpunues thotë se ka pranuar ryshfet mbi 90 mijë euro bashkë me dy prej të akuzuarve

Në rastin “Subvencionet 1”, të hënën dëshmitari bashkëpunues Alban Bushati, ka thënë se në bazë të marrëveshjes 70% të subvencioneve i ka pranuar ryshfet nga i akuzuari Bekim Shala, të cilat pastaj i ka ndarë me të akuzuarit Salih Kelmendi dhe Sadat Shkodra.

“Po i kemi marrë tri herë shumën 92 mijë e 490 euro aty diçka, ato i kemi marrë nga Bekim Shala”, tha dëshmitari Bushati.

Këtë deklarim, Bushati e ka dhënë në seancën e së hënës duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Rafet Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bushati ka treguar se gjatë viteve 2020-2022 ka punuar në Komunën e Pejës në cilësinë e zyrtarit administrativ në Drejtorinë e Bujqësisë.

Ndër detyrat dhe përgjegjësit e tij, ai tha se kanë qenë pranimi i kërkesave-aplikacioneve për subvencione, shqyrtimi i këtyre kërkesave, si dhe pagesa të ndryshme në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë.

I njëjti ka deklaruar se Bekim Shalën e njeh si fermer, i cili sipas tij, ka aplikuar vazhdimisht në komunë për subvencione.

E në vitin 2020, ai tha se e ka trajtuar një aplikacion të Bekim Shalës për subvencione.

“Pas kontaktit me Sadat Shkodrën, ai (Bekimi) ka apliku ma herët për ato kulturat që i ka pas të mjellta, misër edhe grurë dhe pas aplikimit Sadati ka ardhë në Pejë ka thonë kem me fol për diçka me ia ndërru kulturat Bekimit prej kulturës misër edhe grurë me ja bo për bimë aromatike (çajra)”, deklaroi Bushati, duke shpjeguar procedurën se si e ka trajtuar këtë çështje.

Tutje, ai tha se në Ministri e kishte dërguar një e-mail për të anuluar aplikimin e mëhershëm dhe shtoi se pastaj e kishte ndërruar kulturën.

“E kemi shkru e-malin në Ministri për me anulu aplikimin e mëhershëm, e kom ndërru kulturën pastaj e kemi bërë aplikimin për bimë aromatike”, u shpreh Bushati.

Ndryshimi i kulturës sipas dëshmitarit Bushati ishte bërë për arsye përfitimi.

“…sepse për sipërfaqe hektar subvencioni ka qenë 300 euro për misër edhe grurë, ndërsa për bimë aromatike ka qenë çmimi 1 mijë euro”, shtoi tutje ai.

Ndërsa, kërkesa për të bërë këtë ndërrim kulture sipas tij ka qenë e Sadat Shkodrës në bashkëpunim me të dhe Salih Kelmendin.

“ … kemi bisedu, ka thonë me fol me Bekimin, a muni me fol për me na bo të mundshme që ai me marrë pjesën e vet, që i takon që i ka të mbjellne, ndërsa këtë pjesën e 70% me marrë na unë Sadati edhe Salih Kelmendi”, ka thënë Bushati.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, dëshmitari ka thënë se tri herë radhazi kishin marrë ryshfet nga Bekim Shala.

Këto para, ai tha se i kishin pranuar në Pejë me Salih Kelmendin nga Bekim Shala në pompën e këtij të fundit.

“Herën e parë që kemi pranu ka qenë rreth 34 mijë e 500 aty diçka, prej tyre 20 mijë ia kemi çu Sadait në Prishtinë ia kemi dhënë, edhe kështu ka vazhdu pjesën e mbetur e kemi nda përgjysmë me Salih Kelmendin”, deklaroi ai.

Ndërsa, Sadat Shkodrës ai tha se paratë ia kishte dorëzuar në Prishtinë tek Albi Mall.

“Unë kam qenë me Golf 4 me kerr temin bashkë me Salihin, ndërsa me Sadatin jemi taku në parking, kerrin s’ia kom pa veç aty në parking ia kemi dhënë paratë”, ka thënë Bushati.

Po ashtu, edhe herën e dytë ai tha se kishin bërë të njëjtin veprim.

“Edhe herën e dytë e kemi bërë të njëjtin veprim, unë e Salihi i kemi marrë prej Bekimit, e ia kemi dhënë Sadatit. Vlera po ashtu ka qenë e njëjta, sepse u nda në dy pjesë qysh u bo pagesa prej Ministrisë”, deklaroi dëshmitari.

Kurse, herën e tretë ai ka thënë se paratë i kishte pranuar në Pejë dhe me rastin e dhënies së parave i njëjti tha se Berat Nika nuk ka qenë prezent.

“Herën e tretë në bazë të telefonit që m’ka thon Sadati ka qenë me to, nuk e kom pa as s’po du me pa as sen, e kom pyt pse Beratin, m’ka thon ky s’din kurgjo rreth kësaj pune”, tha ai.

Bushati gjithashtu ka thënë se ka mbetur edhe një pjesë e fundit e parave pa ua dhënë Bekim Shala.

“Ndërsa ka mbet kur t’ia qesin paratë Bekimit me i marrë na me i nda pjesën e mbetur me Salihin. Vlera që ka mbet pa dhënë ka qenë 33 mijë e 789 euro ose 33 mijë ose 34 mijë”, theksoi ai.

Kurse, për arsyen se pse nuk kishin arritur t’i pranonin këto para, Bushati tha se kishin ndodhur arrestimet e para në ministri.

I njëjti tha tutje se në emër të Bekim Shalës, kishte paraqitur kërkesë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

“Po kam paraqit, unë e kom bo këtë rast po si me dy mene bre mos po him në gjynah, po na gjon familjen gjo na zbulojnë shteti e bohet qysh bohet, edhe jom shku e kom bo kërkesën në emër të Bekimit prapë me rikthy gjendjen e mëparshme për çështje të kulturave”, theksoi ai.

Tutje, ai ka deklaruar se asnjëherë nuk ka bërë marrëveshje me të akuzuarin Luan Statovci. Gjithashtu, ai tha se asnjëherë Statovci nuk i ka kërkuar para as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.

Në këtë seancë, është dëgjuar edhe dëshmitari tjetër bashkëpunues Kastriot Berisha, i cili tha se gjatë vitit 2020 kishte aplikuar për fitimin të subvencioneve.

“Në aplikimin e parë kam aplikuar për 130 hektarë grurë dhe 115 hektarë kunguj që përdoren vetëm për fara, përafërsisht në total 245 hektarë”, tha ai.

Mirëpo, këtë aplikim Berisha tha se pas një kohe e kishte ndryshuar sa i përket kulturës, pra sipas tij nga kultura grurë në bimë aromatike.

E këtë ndryshim, Berisha ka treguar se e kishte arritur me ndihmën e Salih Statovcit, i cili tha se në kontakt me të kishte rënë përmes një miku të shokut të vëllait.

Krejt kjo, sipas tij kishte ardhur pasi që shumë vite me radhë kishte aplikuar për grante, por asnjëherë nuk kishte arritur të përfitonte.

“Unë kom lyp ndihmë prej Salihit se i thash kurrë s’po muj me fitu se me 300 hektarë tokë s’po muj me fitu subvencion”, theksoi Berisha.

Ndërrimi i kulturës, sipas Berishës ka ardhur pasi që pagesa për hektar për kulturë të grurit ka qenë 150 euro, ndërsa për bimë aromatike ka qenë 500 euro për hektarë.

Por në atë kohë, ai tha se këto shuma ishin dyfishuar me vendim të ministrit.

Kështu, ai tha se kishte marrë 120 mijë euro në mënyrë të jashtëligjshme, ku 30 mijë tha se i ka marrë për vete, ndërsa 90 mijë euro tjera ia kishte dhënë Salih Statovcit në tri raste.

Fillimisht, ai tha se kishte insistuar për një marrëveshje me përfitim 50-50, por sipas tij, Salih Satatovci nuk kishte pranuar.

“Ai s’ka pranu, ka thënë unë nuk i marrë vetë këto kom edhe tjerë ai që i kryen punët, ai që nxjerr dokumente, jemi nashti 10 veta që i marrim këto, unë vetë s’i marrë këto”, tha Berisha.

Ndërsa, sipas tij Salih Statovci nuk kishte përmendur emra e as persona kur kishte folur për ndarjen e këtyre parave.

Berisha po ashtu ka thënë se bashkë me Salih Statovcin kishin bërë marrëveshje për mashtrim me subvencione.

Tutje, i pyetur se a ka qenë ndonjë person zyrtar për të bërë verifikimin e sipërfaqes së mbjellë, ai tha se herave tjera sa herë kishte aplikuar për subvencion gjithmonë ka pasur, por ky ka qenë rasti i parë që nuk ka ardhur askush për kontrolle.

Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdojë më 3 tetor 2023.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”.

Related Articles