Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, njëherësh kryesues i OSBE-së, Zbigniew Rau, para se të arrijë sot në Kosovë, destinacion tjetër e pati Hagën e Holandës, ku kishte marrë pjesë në konferencën “Përgjegjësia për Ukrainën – Rritja e koordinimit të veprimeve për të vënë drejtësi”.
Ai atje deklaroi se pavarësisht se sa do të zgjasë lufta në Ukrainë, kriminelët e luftës do të sillen para drejtësisë dhe do të dënohen.
“Ajo që sigurisht do të punohet gjatë konferencës është një mesazh i qartë për kriminelët e luftës se ata nuk mund të llogarisin në mosndëshkimin. Falë përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar, proceset gjyqësore ndaj tyre do të vazhdojnë dhe pavarësisht se sa do të zgjasë, ata do të dalin përpara drejtësisë dhe do të dënohen”, ka thënë Rau.
Sipas tij, sfida kryesore në rastet e gjykimeve do të jetë koordinimi në mes prokurorëve të shteteve si dhe prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, në mënyrë që të shmanget dyfishimi i rasteve.
Rau e pa rolin e Polonisë në këtë aspekt si vendimtar.
“Ne nuk ofrojmë thjesht ndihmë logjistike për prokurorët kombëtarë, por gjithashtu, për shkak të numrit të madh të refugjatëve ukrainas në vendin tonë, ndërmarrim veprime përkatëse vetë”, ka thënë Rau, shkruan TVP World.
Polaku do të arrijë në Prishtinë rreth orës 18:30, ku do të pritet nga kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Rau nesër do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.