Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar votuesit jashtë Kosovës të komunave në të cilat do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar, se periudha e votimit përmes postës do të përfundojë sot.
Gjithashtu, KQZ-ja ka njoftuar një ditë më parë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës që ende nuk kanë pranuar pakon e tyre me fletëvotim, që të kontrollojnë kutitë e tyre postare.
“Pas komunikimit me Postën e Kosovës, njoftojmë se një numër i dërgesave të padorëzuara në disa shtete në sistem figuron se pranuesve të pakove u është lënë njoftim për paraqitje, andaj është e nevojshme që të kotrollojnë kutitë e tyre postare, pasi kanë mundur të mos vërejnë këto njoftime”, ka njoftuar KQZ-ja përmes një njoftimi në Facebook
Të dielën e 9 nëntorit votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Balotazhi mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Sipas Listës së Votuesve të publikuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj dhe pas largimit të personave të vdekur si dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.
Rundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
