Reagon BIRN – i quan ‘fushatë shpifëse’ pretendimet ndaj emisioneve ‘Jeta në Kosovë’ dhe ‘Drejtësia në Kosovë’

Reagon BIRN – i quan  ‘fushatë shpifëse’ pretendimet ndaj emisioneve ‘Jeta në Kosovë’ dhe ‘Drejtësia në Kosovë’

Katër vite pas largimit arbitrar dhe të kundërligjshëm nga skema programore e RTK-së, emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, drejtoresha e BIRN, Jeta Xharra, drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu dhe kryeredaktori Kreshnik Gashi dhe të gjithë kolegët  janë duke u përballur me një fushatë të egër të shantazhit publik, shpifjeve dhe fyerjeve.

Reagimi i BIRN:

Ish-drejtori i shkarkuar i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, personi që kundërligjshëm ndërhyri për të pamundësuar transmetimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, në një deklaratë publike ka ngritur akuza për vjedhje fondesh.

Shpifja e tij, me pretendimin se fondet janë vjedhur, do të jetë subjekt i një padie në gjykatë pasi, në tërësinë e tij, ky pohim është shpifje.

Ne sqarojmë opinionin që të gjitha fondet e pranuara nga RTK për bashkëprodhimin e emisioneve janë marrë në procedura të ligjshme dhe secili cent i shpenzuar është audituar nga auditorë të pavarur.

Këtë fakt e ka të njohur edhe z.Kastrati, por ai qëllimshëm ka shpifur për të mbuluar turpin dhe krimin profesional që i ka shkaktuar interesit publik me ndërprerjen arbitrare të “Jeta në Kosovë dhe “Drejtësia në Kosovë”. Ai sot si punonjës i televizionit të afërt me Devollët, synon ta mbulojë veprimin e tij me shpifje pa asnjë bazë faktike.

Për më tepër, Kastrati, pas fushatës së tij shpifëse, ka fshirë pjesë nga postimi i tij pasi e ka kuptuar se do të përballet me padi ligjore për shpifjen e rëndë të cilën e ka lansuar.

Është e pakontestueshme që Ngadhnjim Kastrati punon për televizionin e lidhur me Devollët, të cilët janë të njohur si humbës të betejës ligjore në hulumtimin e “Jeta në Kosovë”, i cili i shpëtoi vendit 17 milionë euro.

Kastrati në postimin e tij, përhapë shpifje që për publikun janë edhe qesharake, duke pretenduar se emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” kanë qenë emisione “bash për kurgjo”.

Në të njëjtin postim, Kastrati pretendon se ka marrë porosi nga politikanë të cilët i kanë sugjeruar të vazhdojë emisionin. Madje, në stilin e shantazhuesit, pretendon se ka marrë porosi edhe nga përfaqësues diplomatikë në Beograd.

Duke ngritur fakte të paqena, z.Kastrati synon të kriminalizojë ambasadorët e disa vendeve të QUINT-it në Kosovë dhe avokuesit e lirisë së mediave në kërkesën e tyre për të vazhduar produksionet e pavarura në Kosovë.

Në publikimet e tij të mëtejshme, Kastrati, në stilin e paraardhësve të tij prodhues të shpifjeve, synon të ngrejë fakte të paqena se selia e organizatës BIRN Kosova është në Beograd.

Padyshim që Kastrati dhe të gjithë ata që shpifin në këtë linjë do të përballen me padi ligjore për shpifje e në rastet kur ato tejkalojnë shpifjet, edhe me kallëzime penale për nxitje të urrejtjes- thuhet nga BIRN.

Z.Kastrati ka pasur qasje në kontratat tona e dinë që RTK ka mbuluar më pak se 30% të shpenzimeve për prodhimin e emisioneve, ndërsa pjesa tjetër janë mbuluar nga donatorët.

Në postimin e tij, z.Halili pretendon se marrëveshjet në mes të BIRN dhe RTK-së janë zhvilluar pa procedura të prokurimit dhe me marrëveshje të dyshimta antiligjore.

Kjo është 100% e pavërtetë. Të gjitha marrëveshjet në mes të BIRN dhe RTK-së kanë ndjekur procedurat skajshmërisht ligjore, në asnjë raport të auditimit këto marrëveshje nuk janë cilësuar si të paligjshme, në të gjitha hetimet që i kanë zhvilluar autoritetet për RTK-në është konstatuar ligjshmëri e skajshme në këto marrëveshje, për më tepër edhe gjykata i ka konsideruar të ligjshme marrëveshjet në procedurën përmbarimore me RTK-në.

z.Halili nuk i di, as procedurat që institucioni ku ai punon dhe i zbaton për angazhimin e produksioneve të jashtme.

Duke demonizuar anëtarët e komisionit audiovizual të RTK-së, të cilët kanë vlerësuar që përmbajtja e dy emisioneve është në interes për publikun dhe RTK-në, z.Halili synon të pengojë zbatimin e ligjit, i cili është i qartë: 15% e produksionit të televizionit publik duhet të shkojë tek produksionet e pavarura.

Për njohurinë e z.Halilit dhe publikut të gjerë, që nga ndalimi arbitrar e korruptiv i transmetimit të emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” ne kemi insistuar dhe insistojmë në të drejtën tonë ligjore për hapësirë në televizionin publik. Për këtë hapësirë kemi kredencialet të cilat provojnë profesionalizmin tonë dhe ekipin të cilin nuk e ka askush tjetër në Kosovë.

Si zakonisht, kemi shfrytëzuar të drejtën që sipas ligjit të ri-aplikojmë për të kërkuar nga RTK që të zbatojë ligjin. Në një proces normal, kemi kërkuar nga komisioni për vlerësimin e veprave audiovizuale që në vitin 2025 të ri-vlerësojë nëse RTK-së i duhen programet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”. Komisioni ka vlerësuar që skema e RTK-së ka nevojë për programet dhe kjo është procedura ligjore që ndiqet në secilin rast të tillë.

Por, korit të shpifjeve nuk u konvenon vlerësimi profesional për “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, i cili në vitin 2022 është zhdukur në mënyrë kriminale e në vitin 2025 po synohet të demonizohet vetëm e vetëm që të pengohet zbatimi i ligjit.

Z.Halili, i cili nën petkun e drejtorit të Radios publike dhe me frekuencë nacionale i lejon vetes të shpifë kaq hapur, do të përballet me padi për shpifje.

Publiku duhet të kuptojë një  pyetje qenësore:
Pse kori nuk merret me produksionet e tjera që (s)prodhuan për RTK-në, por përfituan nga RTK-ja?

Është faktike që BIRN ishte vetëm një nga dhjetëra produksionet që patën hapësirë në RTK. Në të vetmet kontrata të hetuara, të audituara dhe të mbikëqyrura që përfunduan pa aktakuza dhe me vulën që ishin 100% të ligjshme- ishte kontrata jonë.

Në gjykatat e Kosovës ka disa aktakuza për lidhjen e kontratave dhe abuzimet që u bën gjatë këtyre viteve me kontratat për produksionet e pavarura.
BIRN nuk është në asnjërën prej këtyre aktakuzave. Në secilën situatë kemi qenë të pastër, transparent dhe llogaridhënës dhe kontratat tona janë konstatuar që kanë qenë dhe janë 100% të ligjshme.

Kori shpifës injoron këto fakte dhe fsheh qëllimshëm aktakuzat që janë duke u gjykuar në gjykatat e Kosovës.

Disa nga të akuzuarit janë analistë në studiot e tyre e disa vazhdojnë të shkruajnë statuse të përmbrëmshme në emër të ligjshmërisë, e paradite ulen në gjykatë në bankat e të akuzuarve.
Për më tepër, kori nuk merret as me OJQ-të e tjera që patën kontrata të ngjashme si BIRN.

Përgjigja është shumë e thjeshtë: të gjitha produksionet  e pavarura, të gjithë të kontraktuarit e RTK-së dhe i gjithë stafi i RTK-së njëherësh në këto vitet e pasluftës, nuk kanë më shumë rezultate në gazetari sesa ekipi ynë. Ne mbajmë me krenari 88-të çmime të vlerësuara nga juri profesionale për punën tonë.

Cila është e vërteta faktike dhe e dokumentuar?

  • Emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” janë ndërprerë pas publikimit të hulumtimit “Monopoli në dritën e diellit”.
  • Pas publikimit të këtij hulumtimi, Blerim Devolli është ankuar në KPM dhe aty, mbi baza abuzive, është konstatuar se emisioni nuk i përmbushte standardet gazetareske.
  • RTK, nën drejtimin e Ngadhnjim Kastratit, nuk ka bërë asnjë hap ligjor për ta mbrojtur hulumtimin dhe materialin.
  • Në betejë ligjore, në Gjykatën Themelore dhe atë të Apelit, është konstatuar se emisioni i përmbushte të gjitha standardet profesionale dhe vendimi abuziv i KPM-së u shpall i pavlefshëm.
  • RTK, pa një vendim profesional të komisionit audiovizual, të bordit, por vetëm me vendim arbitrar e të paarsyetuar të Ngadhnjim Kastrati, vendosi ta ndërpresë transmetimin edhe përkundër faktit që kishte zotuar paraprakisht edhe para BE-së se transmetimi do të vazhdonte.
  • Në vitin 2022 BIRN ri-aplikoi për të vazhduar bashkëpunimin programor me RTK-në. Kërkesa e BIRN, në mënyrë kriminale, u zhduk nga RTK dhe përgjigjja nuk u dha asnjëherë.
  • Në vitin 2025 BIRN kërkoi nga RTK edhe një herë informata për fatin e këtij aplikimi. Përgjigjja zyrtare ishte se materialet për përgjigjen janë zhdukur nga arkivat online të RTK-së.
  • Në vitin 2025 BIRN ri-aplikoi në komisionin audiovizual të RTK-së për të ri-kthyer në skemën programore dy emisionet: “Jeta në Kosovë dhe “Drejtësia në Kosovë”. Komisioni profesional ka vlerësuar që RTK duhet t’i ketë në skemën programore emisionet.

Është e qartë që në vitet e fundit jemi përballur me fushata shpifëse të cilat vijnë për shkak të punës tonë profesionale. Në gjykatat e Kosovës muajve të fundit u ka ardhur radha disa padive që kemi inicuar ndaj shpifësve ordinerë, e disa të tjerë janë duke u paditur për këto shpifje. Publiku e ka të lehtë të na kontrollojë se kush jemi ne, ku financohemi ne dhe si i shpenzojmë paratë. Do të ishte e rrugës që edhe ato shtëpi që i thonë vetes media të verifikojnë faktet para se t`i ri-transmetojnë porositë e shpifësve.

Related Articles