Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i ka reaguar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas kërkesës së rishikimit të vendimit të kësaj komune për ndarjen e parcelës për trajtimin e qenve endacakë,
Zogaj, me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në ‘Facebook’, ka thënë se përveçse nga kjo ministri nuk po i ndihmojnë, edhe po ua pezullojnë punën për trajtimin e një nga problemeve më të mëdha të kryeqytetit.
“Përderisa ne po punojmë të gjejmë një zgjidhje afatgjate, për një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve të Prishtinës, atë të qenëve endacak, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, jo vetëm që nuk po ndihmon asgjë në këtë drejtim, përkundrazi është duke na penguar në këtë proces!”, thuhet në reagimin e Zogajt.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ia ka kthyer mbrapsht Komunës së Prishtinës vendimin për ndarjen e parcelës për trajtimin e qenve endacakë, duke kërkuar rishqyrtimin e tij edhe njëherë.
Sipas MMPHI-së, vendimi në fjalë është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, me ç’rast i japin edhe disa arsye që mbështesin konstatimin e tyre./Gazeta Enigma/