Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se partia e tij e refuzon këtë qasje si mjet për zgjidhjen e problemeve, siç refuzon edhe “gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit”.
“Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet. Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri. LDK e refuzon këtë qasje si mjet. Siç dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit”.
“Dhe jemi krenarë për këtë”, u shpreh Abdixhiku.
Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin e tij për të ardhmen e Kosovës. “Duket se rruga e Kosovës është e humbur tashmë. Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re, të tretë. Një që na bën vend normal, zhvillimor e euroatlantik”, deklaroi kreu i LDK-së.