Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu tha se mënyra se si po vepron Qeveria Kurti, po ia sheh sherrin Kosova.
Ai tha se si opozitë e kanë të qartë se çfarë përkrahje i kanë dhënë qytetarët Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit në zgjedhje, prandaj ai iu drejtua qytetarëve me fjalët “ia pafshi hajrin”.
“Ka një proverb kinez që thotë “kur e sheh armikun duke gabuar mos e ngacmo”, ne nuk nisemi nga ky parim. Jo pse nuk e meriton të lejohet të gabojë kjo Qeveri, sepse gabon edhe pa e lejuar, mirëpo ajo çfarë po bën po ia sheh sherrin Kosova. Ne si opozitë e kemi parasysh se sa përqind e qytetarëve të Kosovës e kanë votuar këtë Qeveri, e sa përqind të qytetarëve me ngazëllim kanë duartrokitur fjalët e Kurtit e jo veprat. Andaj, ne jemi ata që tani u themi, ia pafshi hajrin, kqyrne çfarë po bën”, u shpreh Abdullahu.
Tutje, ai tha se Partia Demokratike e Kosovës është e sinqertë, teksa shtoi se Qeveria aktuale ka një qasje plotësisht të pasinqertë.