I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me emërimin e Nenad Rashiqit ministër për Komunitete dhe Kthim, ka shkelur brutalisht kushtetutën e tij dhe ka shkelur edhe një herë të drejtat e popullit serb në Kosovë.
Petkoviq ka theksuar se kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq dhe kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, nuk përfaqësojnë serbët nga Kosova.
“Kukullat e Kurtit Nenad Rashiq së bashku me Rado Trajkoviqin nuk përfaqësojnë popullin serb në Kosovë, serbët nuk e votuan në zgjedhjet e fundit, por përfaqëson Albin Kurtin dhe politikën e tij militante ndaj çdo gjëje serbe në Kosovë, tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, në të cilat lista e krijuar nga Rashiq fitoi 0.173 për qind të votave, për dallim nga lista serbe, e cila u votua nga pothuajse 96 për qind e popullit serb”, tha Petkoviq.
Petkoviq ka theksuar se sipas Kushtetutës së Kosovës, Kurti duhet të ketë mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të komunitetit serb për një akt të tillë.
“Edhe akti i brendshëm i ashtuquajtur më i lartë juridik i Kosovës në nenin 96, paragrafi 5 përcakton se zgjedhja e Ministrit të Institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve të komunitetit serb, në këtë rast të Lista Serbe dhe Kurti kurrë nuk do të kishte marrë një mbështetje të tillë nga deputetët e Listës Serbe për zgjedhjen e kukullës së tij në postin ministror”, theksoi ai.
I ashtuquajturi drejtori i zyrës për Kosovë shtoi se zgjedhja e Rashiqit është dëshmia më e madhe e asaj që po paralajmërohet gjatë gjithë kohës, përkatësisht se “në Kosovë ka serbë të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për hir të interesit personal”.
“Prandaj Lista Serbe, si mburojë e mbijetesës së popullit serb në Kosovë, është e vetmja që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të vendit të vet dhe nuk do t’i shërbejë kurrë autoriteteve në Kosovë dhe kryeministrit Albin Kurti”, ka përfunduar Petkoviq.