Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e ka cilësuar skandaloz arrestimin e tre mjekëve në Spitalin e Prizrenit, si të dyshuar për rastin e vdekjes së një foshnje të porsalindur.
Tre mjekë u arrestuan të martën nën dyshimin se nuk kanë intervenuar me kohë te një foshnje e porsalindur dhe kanë tentuar të fshehin provat, pas vdekjes së saj.
Në një reagim për media të enjten, FSSHK-ja e ka shprehur shqetësimin për arrestimin. Ka thënë se mjekët e arrestuar po ballafaqohen me cenim dinjiteti, degradim e linçim publik.
“FSSHK në asnjë rrethanë nuk tenton të ndërhyjë në procedurat gjyqësore/prokuroriale por arrestimi i profesionistëve shëndetësor pas denoncimit të rastit pa u kryer ekspertiza mjeko-ligjore është SKANDALOZ. Mjekët të cilët edhe gjatë festës i kanë lënë familjet e tyre për t’i shërbyer qytetarëve, ata të cilët në historikun e tyre profesional nuk kanë asnjë vërejtje, sot po ballafaqohen me cenim të dinjitetit, degradim e linçim publik”, thuhet në reagim të FSSHK-së.
Sipas FSSHK-së, “zgjidhjet e rasteve nuk fillojnë me arrestime”.
“Ngjarje të tilla ndikojnë edhe më shumë në uljen e besueshmërisë së qytetarëve për trajtim në sistemin publik shëndetësor, por edhe marrjen e shërbimeve shëndetësore nga profesionistët shëndetësor”, thuhet në reagim.
FSSHK-ja ka kërkuar që mjekët të lirohen. Ndërsa pasdite, pas reagimit të FSSHK-së, Gjykata Themelore e Prizrenit ka njoftuar se ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe paraqitje në stacion policor.