Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar intervenim emergjent nga institucionet qendrore dhe përkrahje për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Gjakovë dhe Rahovec.
Haradinaj, mes tjerash, thotë se është në përkrahje të kryetarëve të komunave, si dhe shtabeve emergjente të komunave Gjakovë e Rahovec, në përpjekjet e tyre që të jenë pranë qytetarëve të prekur.
“I shqetësuar nga gjendja e krijuar në Gjakovë dhe Rahovec pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe përmbytjet. Dëmet kanë përfshirë shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira e objekte publike dhe toka bujqësore.
“Jemi në përkrahje të kryetarëve të komunave Ardian Gjini dhe Smajl Latifi si dhe shtabeve emergjente të komunave Gjakovë e Rahovec, në përpjekjet e tyre që të jenë pranë qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore”.
“Njëkohësisht, kërkojmë intervenim emergjent nga institucionet qendrore në Prishtinë dhe përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve të shkaktuara”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë që tu dalë në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga vërshimet e fundit.