Reagon Isa Mustafa: Qeveria e Vetëvendosjes po i negocion marrëveshjet që i kundërshtonte me dhunë e propagandë

Reagon Isa Mustafa: Qeveria e Vetëvendosjes po i negocion marrëveshjet që i kundërshtonte me dhunë e propagandë

Kosova dhe Serbia, sot kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

Kjo pajtueshmëri është arritur ndërmjet delegacionit të Kosovës në krye me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Peter Petkovic nga Serbia.

Marrëveshja për energjinë është nënshkruar në vitin 2013 nga Hashim Thaçi dhe është konfirmuar në vitin 2015 kur në krye të Qeverisë së Kosovës ishte, Isa Mustafa.

Në kohën kur ishte arritur ky dakordim që tani u zyrtarizua me marrëveshje nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar ashpër.

“Kjo marrëveshje po e rilidhë edhe më fuqishëm sistemin e Kosovës me atë të Serbisë, ku Kosova natyrisht është e nënvendosur”, kishte shkruar Lëvizja Vetëvendosje në komunikatë zyrtare për media.

Lidhur me arritjen e pajtueshmërisë për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë, për FrontOnline, ka folur ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje përkundër propagandës dhe dhunës  që e ka bërë sot po i negocion të njëjtat me Serbinë.

“Sot nuk e di se çfarë është përmbajtja e marrëveshjes, prandaj edhe nuk mund ta komentoj. Mund të them, se edhe përkundër të gjitha formave të dhunës dhe propagandës që VV zbatonte më parë kundër marrëveshjeve nga dialogu, tani Qeveria e VV-së po i negocion të njëjtat”, tha Mustafa për FrontOnline.

Ndërsa i pyetur se pse marrëveshja nuk ka gjetur zbatim, që nga viti 2013 Mustafa tha se, Serbia nuk ka treguar vullnet për zbatimin e marrëveshjes dhe se Serbia nuk iu ka referuar institucioneve  të Kosovës me emrin kushtetues për të ndjekur procedurat e marrëveshjes.

“Serbia nuk ka treguar vullnet për zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara. Ka zbuluar teknologjinë që njëherë të arrihet marrëveshja, pastaj të arrihet një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes, e kështu me radhë. Në vitin 2015 kemi arritur marrëveshje konkrete për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013. Ne kemi qenë të gatshëm ta zbatojmë marrëveshjen, por Serbia nuk iu ka referuar institucioneve tona me emrin kushtetues për të ndjekur procedurat e marrëveshjes”, tha ai.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Related Articles