Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e tronditur mbi rastin e dhunimit të një vajze të mitur, duke thënë se akte të tilla duhet të dënohen ashpër nga shoqëria.
Në një postim në Facebook, Jahjaga thotë se aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, dhe se dhuna ndaj grave e vajzave duhet të merr fund një herë e përgjithmonë.
“I bëj thirrje organeve të drejtësisë t’i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës, e cila ka nevojë më shumë se kurrë më parë ta shoh që shteti është aty për të”, tha Jahjaga.
“Shoqëria jonë duhet t’i dënojë ashpër veprimet e tilla dhe të gjithë ne kolektivisht të punojmë që viktimave t’u japim gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar ajo.