Reagon KMDLNj: Me arrestimet e shpeshta, Serbia po e shantazhon Kosovën

Reagon KMDLNj: Me arrestimet e shpeshta, Serbia po e shantazhon Kosovën

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar për arrestimet e kosovarëve nga Serbia, duke thënë se shpeshtimi i rasteve të arrestimit po bëhet si hakmarrje për arrestimin e serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në reagimin e KMDLNj-së u përmend edhe arrestimi i djeshëm i B.R. nga autoritetet maqedonase me urdhërarrest të Serbisë.

“Më herët kishin qarkulluar në opinion disa lista me ish – ushtarë të UÇK -së por se tani thuaja askush që ka qenë në luftë apo që e ka përkrahur luftën nuk ka siguri nëse udhëton nëpër Serbi prandaj KMDLNj-ë publikisht ka kërkuar t’i shmangin ato rrugë. Tash po del se ato lista janë përcjellur në Interpol andaj edhe po arrestohen siç ishte rasti i B. Ramadanit. Më parë në bazë të fletëarresteve nga Serbia ishin ndaluar – arrestuar kryeministrat Haradinaj dhe Çeku, deputetë të Kuvendit të Kosovës, aktivistë sindikalë, politikë etj”, thuhet në njoftim.

“KMDLNj shpreson se z. Ramadani do të lirohet shpejtë por se kjo nuk është zgjidhje deri sa janë ato lista që kërcënojnë çdo ish – ushtar të UÇK – së apo person që Serbia kërkon arrestimin e tij. Kosova, në pamundësi të jetë pjesë e Interpolit, e ka të vështirë që të sigurojë informata prandaj, në vend të veprimeve parandaluese, kryesisht po merret me pasoja”, thuhet në reagim.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se shteti i Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve. 

Related Articles