Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër sulmet e protestuesve ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në veri të vendit.
Ata me anë të një reagimi thanë se sulmet e tilla të dhunshme dhe të paprovokuara nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë.
LDK-ja potencoi se koordimi me ndërkombëtarët është jetik, teksa institutucionet e Kosovës të sigurohen që asnjë veprim të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta.
“Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë”, thuhet në reagim.
“Koordinimi me miqtë tonë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta. Çdo moskoordinim mund t’i kushtoj pozicionit tonë politik dhe demokratik për paqe dhe stabilitet brenda dhe jashtë vendit”.
“LDK i bën thirrje të gjithë gazetarëve për vigjilencë të plotë dhe bashkëveprim në përputhje me të gjitha udhëzimet e forcave të rendit derisa vazhdon t’i përcjellë këto zhvillime me shumë shqetësim”.