Sot u raportua që ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Për këtë çështje Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria ende nuk i janë përgjigjur telefonatave të redaksisë.
Mirëpo, Latifi me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit “Ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas”.
Lladrovci tha se vlera e investimit është mbi 2 milionë euro dhe pritet të realizohet deri në vitin 2024.
Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:
Sot me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet komunës së Drenasit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për Realizimin e Projektit “Ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas”.
Vlera e investimit është 2.124.015 euro, projekt që pritet të realizohet deri në vitin 2024 dhe në Memorandum janë përcaktuar detyrat e përbashkëta dhe të veçanta për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për komunën tonë.
Cilësia e shërbimeve shëndetësore është e lidhur ngushtë me kushtet që ua ofrojmë profesionistëve shëndetësorë, ambiente dhe material shpenzues, pajisje dhe respekt për punën e tyre shëndetin e qytetarëve tanë, me qëllim të trajtimit sa më të mirë e më cilësor.
Respekt Ministër Latifi për vazhdimin e projektit të planifikuar dhe të aprovuar para disa vitesh. Vërtetë Drenasi dhe qytetarët e komunës tonë kishin nevojë për këtë objekt madhor për shëndetësinë primare!